A kemi nevojë për edukimin seksual?
Prej urtësisë së Allahut në krijesat e tij është krijimi i
instinkteve në shpirtin e njeriut dhe bërja e epsheve tërheqëse për
njerëzit, sikur që thotë Allahu i lartësuar: “Njerëzve u është zbukuruar
dashuria ndaj të këndshmeve, ndaj grave, djemve e ndaj pasurisë së grumbulluar nga ari e
argjendi, ndaj kuajve të stolisur, bagëtisë e bujqësisë. Këto janë kënaqësi të kësaj bote, po
tek All-llahu është e ardhmja më e mirë.” (Ali Imran: 14)
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) na
ka lajmëruar se sprova e epsheve është ajo që më së shumti i
frikësohet për umetin e tij, për këtë ka thënë: “Nuk kam lënë pas vete
sprovë më të dëmshme për burrat se sa gratë.” (Buhariu me nr: 5096 dhe
Muslimi me nr: 2740)
Për shkak të madhësisë së kësaj sprove Pejgamberi (lavdërimi
dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka premtuar, bile i ka
garantuar xhenetin atij që karakterizohet me dëlirësi, për këtë
thotë: “Kush më jep garancë se do të ruaj atë që ka mes buzëve dhe këmbëve të tij, unë
ia garantoj atij xhenetin.” (Buhariu me nr: 6474)
Me zhvillimin e mediave dhe mjeteve të komunikimit dhe
hapjes së shoqërive islame ndaj shoqërive të tjera janë rritur mjetet
e nxitjes (eksitimit) dhe joshjes si dhe janë vënë në punë
teknologjitë e reja për t’i nxitur instinktet dhe për t’i ndezur ato, të
motivuar nga përfitimi material apo senzacioni medial apo edhe
për të përhapur amoralitetin në mes njerëzve.
Prandaj këtu me të madhe shtrohet pyetja: A kemi nevojë ne
për edukim seksual? Apo ajo që quhet edukatë seksuale?
Përgjigja me ‘po’ apo ‘jo’ në pyetje të tilla është thjeshtësim
(reduktim) i skajshëm i kësaj teme dhe përgjithësim në një pozitë
ku imponohen sqarimet e detajuara.
Duke u mbështetur në këtë mund të themi: Hapi i parë lidhet
me përcaktimin e konceptit të edukimit seksual apo edukatës
seksuale.
Për sa i përket konceptit perëndimor, e i cili mbizotëron në një
pjesë jo të vogël të mjeteve të informimit, ai bazohet në bisedën
rreth çështjeve të seksit dhe detajet e tyre para të rinjve dhe
adoleshentëve, qofshin meshkuj apo femra dhe mëton të orientoj
aktivitetin seksual sipas konceptit perëndimor dhe me qëllim të
mbrojtjes nga sëmundjet. Nuk ka dyshim se kjo është e
papranueshme bile është përhapje e amoralitetit dhe ndezje e
instinkteve.
Por, pyetja e cila e imponon veten është: A është e mundur që
familja apo institucionet arsimore të injorojnë çështjet e seksit dhe
të lënë të rinjtë dhe të rejat të përfitojnë kulturën dhe njohuritë e
tyre nga mediet, interneti, miqtë dhe kolegët?
Besoj që pedagogët pajtohen se kjo çështje nuk duhet të
anashkalohet dhe se është nevojë të trajtohet kjo çështje sipas
metodave islame por, kundërshtimi ndërlidhet me vetë
terminologjinë.
Mospajtimi në terminologji tolerohet dhe siç thuhet ‘Nuk duhet
të ketë kundërthënie në terminologji’ por, çështja është se duhet të
zgjidhet një koncept i përcaktuar qartë.
Përhapja e botëkuptimit negativ të konceptit nuk duhet të
ndikoj në refuzimin absolut. Koncepti për lirinë dhe të drejtat e
njeriut, për shembull, interpretohet në mënyrë të ndryshme nga
fetë dhe kulturat. Si dhe përhapja e konceptit perëndimor nuk do
të thotë refuzimi absolut i terminologjisë por, ri-përcaktimin e
konceptit në përputhje me qasjen islame ndaj kësaj çështje.
Duke u bazuar në këtë institucionet arsimore duke filluar prej
familjes, shkollës dhe institucionet që thërrasin në islam duhet të
kujdesen për edukim seksual sipas qasjes islame, e shtyllat kryesore
të kësaj qasje janë:
Përkufizimi i instinktit dhe urtësisë prej krijimit të tij dhe
sqarimi i funksioneve të tij, duke ia shtuar metodologjinë
islame në trajtimin e tij.
Pajisja e mësimdhënësve me dijen fetare adekuate rreth
pubertetit dhe dispozitat e adhurimeve që janë të lidhura me
çështjet e ejakulimit të spermës dhe marrëdhënieve intime
sikurse, pastërtia dhe kështu me radhë.
Njohja e të martuarve me çështjet e hallallit dhe haramit të
lidhura me jetën intime mes dy të martuarve.
Zhvillimi i devotshmërisë, vullnetit dhe vendosmërisë të cilat
ndihmojnë në përballjen me ngacmimet dhe joshjet.
Ndërtimi i vlerave të dëlirësisë dhe promovimi i tyre dhe
sqarimin se ato përbëjnë triumf të personalitetit dhe përmes
tyre realizohet burrëria.
Ofrimi i zgjidhjeve dhe këshillave në trajtimin e situatave të
lidhura me instinktin si dhe ofrimi i ndihmës për atë që ka
ndodhë prej tij ndonjë gabim apo lëshim dhe i cili vuan nga
pasojat dhe implikimet e tyre.
Kritika ndaj modelit perëndimor të edukimit seksual duke
vënë në dukje motivet dhe mjetet e tij si dhe lidhjen e tij me
filozofinë perëndimore dhe vështrimin të saj për njeriun.
Është e rëndësishme në metodologjinë e trajtimit dhe
studimit të çështjeve seksuale që të kihet parasysh turpi dhe
edukata fetare si dhe për të shmangur hyrjen në detaje dhe
shprehjet që gërvishtin turpin dhe nxisin më tepër se sa
edukojnë.
Si dhe nuk është e domosdoshme bile nuk është etike që të
vihet një lëndë e posaçme për edukatën seksuale por, ajo
trajtohet përmes asaj që realizon qëllimet edukative dhe zhvillon
dëlirësinë me anë të lëndëve tjera dhe programeve edukative.