JA PSE DUHET TA DUAM MUHAMEDIN
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!)
Ndoshta është e vështirë të paramendohet se, njeriu që me lejen
e Allahut e ndryshoi botën, kishte lindur jetim, ngase para se të
lindte i kishte vdekur babai. Ai edhe ishte rritur jetim me plotë
kuptimin e fjalës, ngase në moshën gjashtë vjeçare i vdes edhe e
ëma. Ky është jetimi, për të cilin u përkujdes Krijuesi i tij, i cili u
rrit nën mbikëqyrjen e kujdesit hyjnor. Ajo që për njerëzit e
rëndomtë është humbje, vuajtje, mungesë, për Muhamedin, të birin
e Abdullahut, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!),
ishte përparësi.
Në vend se të lihej në kujdesin e krijesës, qoftë ai edhe shumë i
dashur, sikur është prindi, atë e mori në përkujdesje Krijuesi.[1]
Për këtë arsye, ai, edhe para se të bëhej pejgamber, ishte
shëmbëlltyrë në sjellje, qëndrime dhe fjalë. Biografia e tij, edhe
para shpalljes është e pastër dhe pa njolla. I lartësuar qoftë Allahu
që Muhamedin e zgjodhi dhe përgatiti për të Dërguar të Vetin!
E tërë jeta e tij ishte mrekulli në vete, sepse jetoi në një rreth
ku, sipas kritereve njerëzore, njeriu e kishte vështirë të mbijetojë
qoftë edhe vetëm fizikisht, e lëre më, të bëhej njeri i ndershëm, i
moralshëm dhe me virtyte të larta. Por, këtë rregull e theu
Muhamedi, duke u bërë pishtar ndriçues dhe shembull, virtytet e të
cilit i admirojnë të largëtit para të afërmve.
Ai, përfundimisht dëshmoi se Allahu, as edhe për një moment
të vetmin nuk ka hequr dorë nga njerëzimi, por është kujdesur për
ta duke e lëshuar Mëshirën e Vet të pakufishme, përveç tjerash
edhe nëpërmjet të Dërguarve të Tij. Muhamedin, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), Allahu e bëri yll që ndriçon dhe
shëmbëlltyrë të ndritshme për mbarë njerëzimin. Prej tij patën dobi
të gjitha krijesat dhe të gjithë njerëzit pa përjashtim.[2]
Është e pamundur të tregohet në mënyrë gjithëpërfshirëse pse
duhet ta duam Muhamedin, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
3
qoftë mbi të!), por secili prej neve po që se mendon sado pak, do
të vijë në përfundim se ai ishte manifestim i mëshirës së Allahut
për njerëzimin, andaj i jemi borxhli, duhet ta duam, respektojmë
dhe përfillim mësimet dhe udhëzimet e tij. Para se të flasim për
disa nga të mirat e shumta me të cilat Allahu e privilegjoi
njerëzimin nëpërmjet të Dërguarit Muhamed, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), e shoh të udhës të përmend disa
fakte që dëshmojnë se Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i
Allahut qoftë mbi të!), kishte autoritet dhe pozitë shumë të lartë
tek Allahu i Madhëruar, gjë që edhe neve na obligon në mënyrë të
drejtpërdrejtë që ta respektojmë atë. Allahu i Madhëruar e ka
veçuar Muhamedin, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi
të!), me disa veçori specifike, prej të cilave:
- Prej të gjithë të dërguarve të mëhershëm, Allahu ka marrë
zotimin se, në rast se Muhammedi paraqitet në kohën e tyre dhe
derisa ata janë gjallë, ata e kanë obligim të konfirmojnë besimin e
tyre në misionin e tij dhe ta pasojnë:
“Përkujtoni (o ithtarë të librit) kur Allahu mori zotimin e
pejgamberëve: Nga ajo se juve ju dhashë libër e urtësi, ju patjetër do ta
besoni dhe ndihmoni pejgamberin që vjen pas juve, e që vërteton atë
që ju keni pranë vetes. Tha (Allahu): "A pranuat, a e morët sipër
obligimin Tim"? Ata thanë: "Ne e pranuam"! Tha (Allahu): "Dëshmoni
pra, edhe Unë dëshmoj bashkë me ju!" (Ali Imran, 81). Këtë zotim
Allahu e ka marrë prej secilit të dërguar. Kjo dëshmon vlerën dhe
autoritetin e tij tek Allahu dhe te të dërguarit tjerë.
- Misioni i Muhammedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qoftë mbi të!), kishte karakter universal, si në kohë ashtu edhe në
hapësirë. Këtë e vërteton fjala e Allahut në Kur’an:
“Dhe Ne nuk të dërguam ty tjetër, përveçse mëshirë për botët.”
(Enbija, 107). Një gjë e tillë nuk ishte evidente te shpalljet dhe të
dërguarit që Allahu i zgjodhi para Muhammedit, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Çdonjëri prej tyre ishte dërguar te
një popull dhe për një kohë të caktuar. Kësisoj Allahu përmend
Nuhun, Hudin, Salihun, Shuajbin, e të tjerët, gjithnjë duke vënë në
4
pah dhe përmendur edhe popujt te të cilët ishin dërguar këta
pejgamberë. Kjo nënkupton se çdo njeri që jeton pas
Muhammedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!),
duhet ta besojë dhe pranojë për të dërguar të Allahut. Lidhur me
këtë thotë i Dërguari i Allahut, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qoftë mbi të!): “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti i
Muhammedit, nuk dëgjon për mua ndonjë njeri, qoftë ai çifut apo i
krishterë, duke mos më besuar, e që Allahu të mos e fusë në zjarr.” [3]
Në një hadith tjetër ai gjithashtu potencon specifikat, me të cilat e
ka veçuar Allahu i Madhëruar:
“Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë asnjë të dërguari para
meje: ...çdo i dërguar para meje, dërgohej për një popull të caktuar,
ndërsa unë jam dërguar për gjithë njerëzimin.” [4] Ai, madje, ka qenë
i dërguar jo vetëm për njerëzit, por edhe për xhinët, fakt ky që në
mënyrë shumë të veçantë tregon universalitetin e misionit të tij.
- Allahu i Madhëruar me të e përfundoi procesin e shpalljes dhe
vulosi pejgamberinë. Pas tij nuk do të ketë më të dërguar të tjerë.
“Muhammedi nuk ka qenë babai i asnjërit prej burrave tuaj, por ai
ishte i dërguari i Allahut dhe vulë e të gjithë pejgamberëve, e Allahu
është i dijshëm për çdo send.” (Ahzabë, 40). Andaj, si konfirmim i
kësaj që thuhet në këtë ajet, muslimanët duhet bindshëm të
besojnë se Allahu nuk dërgon pejgamber pas Muhamedit,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), me të cilin e ka
përmbyllur shpalljen dhe pejgamberinë. I Dërguari i Allahut thotë:
“Unë jam ‘el-akib’, pas të cilit nuk ka të dërguar.” [5] Ai gjithashtu në
një hadith tjetër thotë: “Benu Israilët administroheshin nga
pejgamberët, sa herë vdiste njëri, vinte pejgamberi tjetër. Pas meje
nuk do të ketë pejgamberë, por vetëm halife.” [6] Si plotësim të kësaj
mirësie, Allahu ka marrë përsipër ruajtjen dhe garancinë e
mësimeve të shpalljes që i erdhi Muhamedit, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), që të mbetet origjinale për të
gjitha kohët.
“Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kuranin dhe Ne gjithsesi jemi
mbrojtës të tij.” (Hixhër, 9).
5
“Ata që e mohuan Kuranin kur u erdhi janë të marrë; ai është një libër
ngadhënjyes (i pashoq). Atij nuk mund t'i mvishet e pavërteta nga
asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” (Fussilet, 41-
42).
- Ekziston edhe një privilegj shumë i madh dhe i rëndësishëm
me të cilin Allahu e ka graduar të Dërguarin e Tij, e ai qëndron në
mundësinë e ndërmjetësimit që ka Muhamedi, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), për njerëzit në Ditën e Gjykimit.
Kjo madje, jo vetëm që është nder për Muhamedin, (Lavdërimi
dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), por është mirësi e madhe
edhe për njerëzit. Në të vërtetë, Allahu i Madhëruar i ka premtuar
të Dërguarit të Vet se në Ditën e Gjykimit do ta nderojë me një
pozitë të lartë e të lakmueshme të cilën e ka quajtur ‘El-mekamulmahmud’
(Pozita e lavdishme). Allahu i Lartmadhërishëm thotë:
“Dhe në një pjesë të natës zgjohu me të (me Kuranin - namazin),
është e sigurt se Zoti yt do të ngrejë ty në një vend të lavdishëm.”
(Israë, 79). Dijetarë të shumtë të Islamit, në mesin e të cilëve edhe
Taberiu konsiderojnë se kjo pozitë e lavdishme është mundësia që
do t’i jepet Muhammedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë
mbi të!), për t’u angazhuar tek Allahu me ndërmjetësim për të
mirën e njerëzve. Ai, pra e përdorë autoritetin dhe pozitën që ka
tek Allahu, vetëm e vetëm për t’ua lehtësuar të tjerëve gjendjen dhe
vuajtjet. Kjo ndodhë në kohën kur të gjithë njerëzit, përfshirë këtu
edhe të dërguarit e Allahut janë të brengosur dhe të preokupuar se
çfarë do të ndodhë në atë ditë të tmerrshme, andaj secili i dërguar i
ikë përgjegjësisë së ndërmjetësimit (shefa’atit) me arsyetime të
ndryshme, ndërsa këtë e pranon Muhammedi, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), i cili edhe në këtë botë ka
dëshmuar se tërë aktivitetin e vet e ka drejtuar kah nxjerrja e
njerëzve nga errësira në dritë.
Arsyet që na obligojnë ta duam Muhammedin, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), janë të shumta. Disa prej tyre u
cekën më lartë. Prej tyre kuptojmë se njeriu, të cilin Allahu e ka
nderuar dhe privilegjuar me shpërblime të ndryshme, nuk heq dorë
nga Umeti i tij, edhe pse vet është i siguruar dhe garantuar për çdo
6
të mirë. Me këtë ai tregon humanizmin, altruizmin dhe virtytet
tjera të shumta, me të cilat e ka begatuar Allahu i Madhëruar. Si të
mos e duam njeriun që Allahu e zgjodhi për t’ia besuar pjesën më
të rëndësishme të misionit të komunikimit të Fjalës së Tij
njerëzimit? A nuk meriton të duhet njeriu, nëpërmjet të cilit,
Allahu derdhi mirësitë dhe mëshirën e Tij mbi ne? Njeriu, në jetën
e të cilit u betua Allahu i Madhëruar, a nuk është i madh dhe
meritor për çdo respekt?
Çdo njeri që është pjesëtar i Umetit të tij duhet të ndiejë se
është i nderuar me të qenit i këtillë. Muhammedi, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), ishte ai, Umetin e të cilit, Allahu e
ngriti mbi të gjitha umetet, e bëri më të numërtin dhe më të mirin.
Këtij Umeti Allahu ua largoi të gjitha barrët dhe rëndimet që
nëpërmjet shpalljes ua ngarkonte umeteve tjera për shkak të
rebelimit dhe ngritjes krye kundër mësimeve hyjnore.
“Që pranojnë të Dërguarin (Muhammedin), Pejgamberin arab, (që
nuk shkruan as nuk lexon), të cilin e gjejnë të cilësuar (të përshkruar
me virtytet e tij), te ata në Tevrat dhe në Inxhil, e që i urdhëron ata
për çdo të mirë dhe i ndalon nga çdo e keqe, u lejon ushqimet e
këndshme dhe u ndalon ato të pakëndshmet, dhe heq nga ata barrën e
rëndë të tyre dhe prangat që ishin mbi ta. Pra, ata të cilët e besojnë
atë, e nderojnë dhe e ndihmojnë, veprojnë me dritën që iu zbrit me të,
të tillët janë të shpëtuarit.” (A’rafë, 157).
Këtë Umet, Allahu në këtë botë e kurseu, e ruajti prej të gjitha
obligimeve të kësaj natyre, duke shpallur për ta vetëm atë që është
e lehtë, e natyrshme dhe e dobishme. Në shpalljen, e cila i erdhi
Muhammedit, nuk ka asgjë të rëndë, të panevojshme apo vështirë
të praktikueshme. Krahas të qenit të gjitha dispozitave të kësaj
natyre, Allahu i Madhëruar nëpërmjet të Dërguarit të Vet e mësoi
njerëzimin se si mund të praktikohen mësimet hyjnore në raste
specifike, kur njeriu gjendet në vështirësi të sëmundjes, udhëtimit,
luftës, etj.. Kjo dëshmon vlerën e përkatësisë islame, respektivisht
të qenit pjesëtar i Umetit të Dërguarit më të madh që Allahu i ka
dërguar njerëzimit.
7
Ndërsa në botën tjetër, ata do të jenë më të numërtit, më të
shpërblyerit dhe të parët që do të hyjnë në xhenet. Sikur të mos
kishte kurrfarë përfitimi përveç nderit të qenit pjesëtar i Umetit
dhe pasues i të Dërguarit më të madh dhe njeriut më të famshëm
që ka ecur në fytyrën e tokës, do të mjaftonte. Prej tij, në botën
tjetër do të përfitojnë edhe banorë të xhehenemit. Ebu Talibi do të
ketë dënim më të lehtë se të tjerët për shkak të përkrahjes që i ka
bërë Muhammedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi
të!), edhe pse ka vdekur si jomusliman dhe nuk e ka besuar
Allahun si duhet.
Çka dhe pse i obligohemi të Dërguarit të Allahut
Arsyeja e trajtimit të një çështjeje të këtillë qëndron në faktin se
virtytet janë margaritarë tek individët dhe, shumë herë, derisa kemi
të bëjmë me raportet mes njerëzve ngazëllehemi kur hasim në dikë
që sillet mirë dhe posedon moral të pastër dhe virtyte të larta.
Edhe nëse gjejmë një të këtillë, do të shohim se ato virtyte
ekzistojnë pranë disa të metave dhe mangësive që meritojnë së
paku vërejtje nëse jo edhe kritikë. Është krejtësisht e pamundur të
gjesh njeriun, të gjitha vetitë e të cilit do të jenë të nivelit të
kënaqshëm. Kjo është ngase njerëzit, siç dihet, sipas natyrës kanë
të meta dhe janë mëkatarë, andaj edhe nuk mund të lirohen prej
veseve e as t’i flakin ato në tërësi. Për këtë arsye është fenomen
njeriu, tek i cili dominojnë virtytet përballë veseve të këqija.
Ndërsa kur flasim për personalitetin e Muhamedit, (Lavdërimi
dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), nuk mund të mos themi se ai
ishte njeriu më i kompletuar me cilësi pozitive dhe njerëzisht i
përsosur me virtyte dhe sjellje të mira. Njeriu mahnitet derisa lexon
dhe njihet me personalitetin dhe sjelljet e tij. Atë që logjikisht
mund ta arrijë një njeri, ai e kishte arritur dhe ishte bërë shembull
në të, edhe pse realisht askush nuk arriti në pozitën e tij. Madje,
edhe të dërguarit e tjerë të Allahut, që gjithsesi dëshmojmë se ishin
njerëzit më të mirë, ai i ka tejkaluar, e të mos flasim për njeriun e
8
rëndomtë. Nuk mund të gjejmë dëshmi më të madhe dhe më me
vlerë sesa ajo që i ka thënë Krijuesi i gjithësisë: “Ti, vërtetë, je në një
moral të lartë.” (Kalem, 4).
Një përshkrim i tillë gjeneral na obligon që, si muslimanë që
jemi, ta besojmë dhe konsiderojmë për të dërguar të Allahut, të
konsiderojmë të saktë dhe të vërtetë çdo gjë që na ka informuar
dhe ta respektojmë dhe dëgjojmë në atë që na ka urdhëruar. Por,
mbi të gjitha, duhet ta duam. Ta duam më shumë se çdo gjë në
botë, më shumë se i duam prindërit dhe fëmijët tanë. Më shumë se
vetveten. Një gjë të tillë, thjesht, ia kemi borxh për shkak të mirave
që i përjetojmë, e për to, Allahu e ka bërë shkak Muhamedin,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
Në vija të përgjithshme, obligimet që i kemi ndaj të Dërguarit të
Allahut, mund të përmblidhen në tri pika:
1. Të konsiderojmë se ai është i zgjedhuri dhe i dërguari i
Allahut, të cilin Allahu e veçoi me shpallje dhe e bëri thirrës për
mbarë njerëzimin si dhe për të gjitha kohët e vendet.
2. Të besojmë çdo gjë që ai ka treguar për të kaluarën, apo ka
paralajmëruar për të ardhmen dhe këto lajme t’i marrim si e vërtetë
e pakontestueshme.
3. Të respektojmë atë që ka urdhëruar dhe ndaluar duke
konsideruar se rruga e tij është rruga e vetme që shpie te kënaqësia
e Allahut dhe garanton lumturinë e dy jetëve.
Mbi të gjithat e duam, ngase ai ishte njeriu më i mirë që Allahu
krijoi, njeriu më komplet, më i sjellshmi, më i buti, më bamirësi.
Krahas kësaj, ai ishte i Dërguari i fundit i Allahut. Me të, Allahu e
përmbushi dhe plotësoi misionin e pejgamberisë dhe vulosi
shpalljen nga qielli.
9
Disa nga virtytet që na detyrojnë ta duam edhe më
tepër
Askush prej njerëzve nuk ka arritur që të përmbledhë të gjitha
veçoritë dhe specifikat e tij apo të shkruaj për të gjitha aspektet e
ndritshme të personalitetit dhe veprës së tij. Për këtë arsye, hasim
në qindra libra që trajtojnë jetën dhe veprimtarinë e Muhamedit,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), nga aspekti
biografik, dhe një mori sosh që trajtojnë sjelljet, moralin dhe
virtytet e tij. Asnjëri prej autorëve asnjëherë nuk ka pretenduar se
ia ka dhënë hakun si e meriton. Përkundrazi, të gjithë e pranojnë se
shkrimet e tyre janë vetëm një pjesë e vogël, një shkëndijë, marrë
nga dielli i fuqishëm dhe i ndritshëm i të Dërguarit Muhamed,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). As unë nuk
pretendoj, dhe Allahu më ruajt që të pretendoj një gjë të tillë, se
kam bërë diçka të rëndësishme në këtë drejtim. Unë vetëm e kam
ndier veten të obliguar që njerëzit t’i përkujtoj me disa nga arsyet
pse duhet të duan Muhamedin, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qoftë mbi të!), në kohën kur janë kapluar nga dashuria ndaj
njerëzve që kryesisht nuk e meritojnë, dhe njëkohësisht kur kanë
filluar ta harrojnë atë që në të vërtetë duhet ta duan. Virtytet e tij të
larta ishin të shumta, por kalimthi do t’i përmendim disa:
1. Bujaria
Ai ishte shembull i paarritshëm në këtë drejtim. Këtë e
dëshmojnë transmetimet dhe dëshmitë në vijim:
- Ai kurrë, derisa kishte diçka afër vetes, nuk kthente duarthatë
lypësin. Një njeri njëherë ia kërkoi pelerinën që e kishte veshur, ai
hyri në shtëpi, e zhveshi atë dhe doli e ia dha.
- Xhabiri transmeton se i kishte dhënë një njeriut një tufë të
madhe me dhenë saqë ai u kthye te njerëzit e vet dhe u tha: O
njerëz, shkoni te Muhamedi se ai jep aq shumë sa të mos i
frikohesh varfërisë më pas.[7]
- Ibën Abbasi thotë se:
10
“I Dërguari i Allahut ishte njeriu më bujar. Akoma më bujar bëhej në
muajin ramazan kur e takonte Xhibrili dhe ia mësonte Kuranin. Ai
ishte më i bekuar se sa era e mirë dhe e bereqetshme e dërguar nga
Allahu. (Shënon Buhariu).
2. Butësia
Me këtë nënkuptohet vetëpërmbajtja në rast të zemërimit dhe
hidhërimit të madh, me ç’rast njeriu nuk mund të kontrollojë veten
dhe të përmbahet nga fjalët dhe sjelljet e këqija. Ai ishte shembull
kur është në pyetje kjo cilësi, madje edhe kur kishte mundësi të
shfrynte zemërimin dhe mllefin e vet, ai asnjëherë nuk e bënte një
gjë të tillë.
Në betejën e Uhudit u plagos, iu shqye fytyra, iu thyen
dhëmbët, ra në gropën që e kishin hapur armiqtë dhe i rrodhi
gjaku. Ai, megjithatë, tha: “O Allah, fale popullin tim se ata nuk
dinë.”[8]
Një beduin erdhi një herë për të lypur dhe e kapi për petkat e
tij, e shtrëngoi aq fortë sa i la shenja në qafën e tij të bekuar duke i
thënë: O Muhamed, më jep nga ajo që të ka dhënë Allahu! Ai i
buzëqeshi dhe urdhëroi që ti jepet nga pasuria shoqërore aq sa i
plotësohen nevojat e tij.[9]
Një çifut i quajtur Zejd bin Sa’neh erdhi për të kërkuar borxhin
nga i Dërguari i Allahut, e kapi atë për krahu dhe iu drejtua në
mënyrë të vrazhdët dhe ofenduese: Ju, familje e Abdulmuttalibit,
vërtetë jeni të jokorrektë në kthimin e borxhit. Umeri u ngrit me
shpejtësi dhe i revoltuar për të reaguar, por Muhamedi, (Lavdërimi
dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), i tha: “Jo o Umer në këtë
mënyrë. Më mirë do të ishte të kërkoje prej meje të ia kthej borxhin
dhe të kërkosh prej tij ta kërkojë hakun e vet më mirë dhe më butë.”
Pastaj urdhëroi që t’i kthehet borxhi dhe t’i kompensohet trishtimi
që ia kishte shkaktuar Umeri me reagimin e tij. Kjo gjë ishte shkak
që ai njeri të përqafojë Islamin. Më herët thoshte: Të gjitha
argumentet e sinqeritetit të Muhamedit i provova, përveç dy
gjërave: Butësia e tij është shumë më e theksuar se sjellja e vrazhdë
dhe sa më keq të sillesh ndaj tij, ai bëhet më i butë.[10]
11
3. Falja dhe toleranca
Falje quhet mosndëshkimi i keqbërësit edhe kur ekziston
mundësia, por në shenjë bamirësie ndaj tij t’i falet ajo që ka bërë e
të mos ndëshkohet.
Aisheja tregon se i Dërguari i Allahut kurrë nuk hakmerrej
personalisht për vete, përveç kur ishte në pyetje shkelja e ligjeve të
Allahut, atëherë ai ndëshkonte për këtë.[11]
Xhabiri rrëfen se i Dërguari i Allahut ishte në një betejë dhe
derisa muslimanët ishin të shkujdesshëm ndaj tij, i erdhi njëri prej
armiqve me shpatë në dorë, e rrëmbeu fort dhe i tha: “Kush të
mbron tani prej meje? Ai i tha: “Allahu”. Atij i ra shpata nga dora.
Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), e mori
shpatën dhe i tha: “Po ty tani kush të mbron prej meje?” Ai i tha: Bëhu
më i miri që hakmerret. I Dërguari i tha: “A do të dëshmosh se nuk ka
të adhuruar përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut?” Ai i
tha: Jo, por nuk do të luftoj më kundër teje dhe nuk do të jem në anën
e atyre që të luftojnë. Ai e lëshoi. Kur shkoi te njerëzit e vet u tha: Jam
duke ardhur nga njeriu më i mirë që keni parë ndonjëherë”.[12]
4. Trimëria
Trimëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet virtyt i lartë dhe cilësi
e vlefshme, sidomos kur është edhe në mendje ashtu si është në
zemër. Për trimërinë ë të Dërguarit Muhamed, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), le t’i lëmë dy trima të dëshmojnë:
Ali bin Ebu Talibi thotë: “Kur vështirësohej situata dhe lufta
bëhej e ashpër, ne mbroheshim prapa të Dërguarit të Allahut. Askush
nuk ishte më afër armikut se sa ai.” [13]
El-Bera bin Malik thotë: “Kur bëhej situata e vështirë në luftë, ne
fshiheshim prapa tij, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
Më trimi prej neve ishte ai që barazohej me të.” [14]
5. Modestia dhe afërsia me njerëzit
12
Njeriu i madh në sytë e njerëzve, i vogël në sytë e vetvetes do të
jetë i madh edhe tek Allahu i Madhëruar. I këtillë ishte Muhamedi,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!):
Shokët e tij tregojnë se nuk kanë parë njeri që u buzëqeshte të
tjerëve më shumë se i Dërguari i Allahut.[15]
Kalonte kah fëmijët që luanin në rrugë, i përshëndeste, sillej
butë me ta, e ndodhte edhe i përkëdhelte.[16]
Të dobëtit dhe të varfrit i vizitonte kur sëmureshin dhe i
përcillte deri në varreza kur vdisnin.
Asnjëherë nuk ka ndodhur që dikush të shtyhej dhe pengohej
për të arritur deri tek ai, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë
mbi të!).
6. Sjellja e mirë me fëmijët dhe mëshira ndaj tyre
Mirësjellja, butësia dhe mëshira janë të çmueshme me çdokënd,
por kur janë në pyetje më të dobëtit, ajo bëhet virtyt edhe me i
vlefshëm. Kësisoj i trajtonte Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i
Allahut qoftë mbi të!), fëmijët:
Ibën Mesudi tregon se kur i Dërguari i Allahut binte në sexhde,
nipat e tij Hasani dhe Husejni i hipnin mbi shpinë. Kur të tjerët
donin t’i pengonin në këtë, ai, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qoftë mbi të!), u jepte shenjë që t’i lënë. Kur përfundonte namazin
i ulte në prehër.[17]
Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Unë hyj në
namazin duke dëshiruar që ta zgjas atë, por e dëgjoj vajin e fëmijës,
andaj e fal më shpejt namazin nga frika se mos e ëma është duke u
falur me neve e do të shqetësohet.”[18]
Të shumta janë ato gjëra që na shtyjnë dhe obligojnë që ta
duam të Dërguarin e Allahut, atë që Allahu e dërgoi mëshirë për
botët, atë me të cilin Ai i nxori njerëzit nga errësira në dritë. Aq
shumë kemi përfituar të gjithë prej tij, aq dobi dhe mësime kemi
pasur.
13
Si të mos e duam!
“O i dërguar. Vërtetë, Ne të kemi dërguar ty dëshmues, përgëzues dhe
këshillues. Dhe thirrës tek Allahu me lejen e Tij dhe pishtar ndriçues.
Dhe përgëzoji besimtarët se për ta do të ketë tek Allahu mirësi të
madhe.” (Ahzabë, 45-47).
Umet i Muhammedit, ngushëllime!
Pa mëdyshje, askush nuk mund të arrijë gradën dhe autoritetin
e Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!),
sepse ai ishte më i zgjedhuri dhe më i miri nga mesi i elitës.
Dashuria e madhe që kemi ndaj tij na bën të shpresojmë se do
ta takojmë në botën tjetër dhe të kënaqemi duke përfituar nga
ndërmjetësimi i tij dhe pirja ujë nga kroi i tij i bekuar. Kjo shpresë
është ngushëllim i madh për neve, të cilët nuk kemi pasur nderin ta
takojmë në këtë botë. Mirëpo edhe takimi i botës tjetër i ka disa
kushte dhe kritere, të cilat, po që se nuk respektohen, njeriu do të
privohet nga takimi i këndshëm me Muhamedin, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!).
Në të vërtetë, të gjithë muslimanët kanë qenë të preokupuar,
madje, edhe të pikëlluar kur kanë menduar se në botën tjetër, edhe
nëse arrijnë të futen në xhenet, pozita e tyre sigurisht nuk mund të
jetë aq meritore sa është ajo e Muhamedit, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!). Këtë brengë të tyren ata nuk kanë
ngurruar ta shprehin edhe para të Dërguarit të Allahut. Enes bin
Maliku, sipas asaj që shënon Ahmedi në Musnedin e tij,
transmeton se një njeri e ka pyetur të Dërguarin e Allahut: “O i
Dërguar, nëse njeri e do dikë, por nuk mund të arrijë pozitën e tyre me
veprat e tij, çfarë do të jetë puna e tij? Ai i ka thënë: “Njeriu, në botën
tjetër, do të jetë me ata që i do.” Thabit el-Bunani që e transmeton këtë
hadith nga Enesi, thotë: Sa herë që Enesi ia tregonte dikujt këtë hadith,
thoshte: O Allahu im, ne të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd.[19]
14
Kjo dashuri e bën njeriun të ngrihet aty ku nuk mund të arrijë
me veprat e veta. Jo rrallë ndodh që dikush, edhe po deshi, nuk
mund të bëjë vepra të cilësisë apo sasisë që bën dikush tjetër. Kjo
bëhet ngase edhe mundësitë e njerëzve për të bërë diçka janë të
ndryshme. Në rastin konkret, askush nuk mund të arrijë me veprat
dhe meritat e tij atje ku ka arritur Muhamedi, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), sepse ai ishte më i miri, më i
devotshmi dhe më aktivi. E vetmja gjë që mund të bëjnë ata që
vijnë pas tij është që, krahas besimit dhe pasimit të rrugës së tij, ta
duan atë me dashuri të pa rezervë dhe të sinqertë, duke shpresuar
se ajo dashuri do të bëhet shkas që Allahu ata t’i nderojë dhe
shpërblejë duke i takuar me të në Ditën e Gjykimit dhe duke ua
mundësuar që të qëndrojnë së bashku në xhenet me lejen e Tij,
qoftë i lartësuar.
Nëpërmjet këtij fakti ndriçohen dy gjëra shumë të rëndësishme.
E para: është gjerësia e Mëshirës së Allahut dhe Mirësia e Tij e
pakufishme. Ai u jep mundësi të gjithëve që të përfitojnë prej asaj
mirësie. Nëse nuk mund të arrihet me vepra, le të arrihet me
dashuri, sinqeritet dhe anim kah e mira dhe kah çdo gjë dhe çdo
kush që Allahu do. Dashuria ndaj Allahut dhe të dashurve të
Allahut, njeriun e shpie në grada të larta dhe i siguron privilegje
dhe shpërblime rëndom të paarritshme. Gjëja e dytë që kuptohet
është autoriteti dhe pozita e lartë e të Dërguarit Muhamed,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), tek Allahu i
Madhëruar. Nuk është gjë e vogël dhe e parëndësishme që vetëm
nëse e do një njeri, të të shpërblejë Krijuesi. Ai njeri që ti e do
duhet të jetë shumë i madh, i mirë dhe meritor tek Allahu. I këtillë,
pa kurrfarë dyshimi është Muhamedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i
Allahut qoftë mbi të!). Prej tij përfitoi njerëzimi derisa ishte gjallë
dhe jetonte në mesin e njerëzve duke u udhëzuar me mësimet e tij
të larta.
Ndërsa, ata që nuk patën nderin ta shohin dhe ta shoqërojnë,
kanë mundësinë që, krahas besimit të mirëfilltë, me dashuri të
sinqertë të arrijnë nderin e të shoqëruarit me të në botën tjetër, më
15
konkretisht në xhenet. E si të mos vazhdojmë edhe ne të themi atë
që e ka thënë Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të: O Allahu im, ne
të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd!?
Kjo dashuri nuk bën të jetë vetëm deklarative. Ajo duhet të jetë
e sinqertë, të burojë nga thellësia e shpirtit dhe të jetë e konfirmuar
me vepra. Veprat janë shenja më e mirë identifikuese e njeriut.
Sikur edhe çdo gjë në Islam, ashtu edhe dashuria ndaj Muhamedit,
(Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), duhet të
vërtetohet praktikisht. Një gjë e tillë arrihet me dëshmi praktike se
fjalët janë vërtetë një argument i dashurisë së sinqertë. Për t’i vënë
njerëzit në provë se sa janë të sinqertë kur deklarojnë se e duan
Allahun dhe të Dërguarin e Tij, Allahu ka shpallur ajet në të cilin
thuhet: “Thuaj: "Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu
t'ju dojë, t’ua falë mëkatet tuaja, se Allahu është që fal shumë,
mëshiron shumë.” (Ali Imran, 31).
Këtu është pikënisja, fillimi i madh dhe i fuqishëm për të arritur
atë që dëshiron. Rruga deri te caku është e gjatë dhe e
mundimshme. Sprovat dhe pengesat janë të shumta dhe të
llojllojshme. E vetmja gjë që simbolizon burimin e pashtershëm të
fuqisë dhe udhëzimit është pasimi i rrugës, të cilën gjatë jetës së tij
të bekuar e trasoi Muhammedi, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qoftë mbi të!). Ajo është rruga e vetme që shpie në mënyrë të
sigurt deri te arritja e qëllimit fisnik.
Shikuar në aspektin praktik, rëndësia e dashurisë ndaj të
Dërguarit të Allahut, vihet në pah edhe nëpërmjet një hadithi, të
cilin e shënon Muslimi, e të cilin e transmeton Ebu Hurejre, Allahu
qoftë i kënaqur me të. Në këtë hadith qëndron se i Dërguari i
Allahut ka thënë: “Në Ditën e Gjykimit do të vijnë njerëzit e Umetit
tim tek unë te Haudi,[20] ndërsa unë do t’i pengoj disa njerëz, ashtu si
i pengon bariu devetë e huaja që të mos u afrohem deveve të veta.”
Dikush i tha: O i Dërguar, a do të na njohësh atë ditë? Ai tha: “Po,
sepse do t’i keni disa shenja të veçanta që nuk i ka tjetër kush. Do të
vini tek unë me shenja në gjymtyrët tuaja nga gjurmët e abdesit. Disa
prej Umetit tim do të pengohen për të arritur deri tek unë dhe unë do
16
të them: ‘O Zoti im, ata janë prej Umetit tim’. Një melek do të më
përgjigjet: Ti nuk e di se çka kanë vepruar këta pas teje.”[21]
Abdesi, si veprim konkret i përmendur në hadith, është
shembull i shprehjes praktike të lojalitetit dhe dashurisë së sinqertë
ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Kjo dëshmon se dashuria
duhet të ekzistojë, dobia e saj është e pakontestueshme në këtë dhe
në botën tjetër, por edhe shenjat identifikuese dhe dëshmitë
praktike të asaj dashurie nuk duhet të mungojnë.
O Allahu im, ne të duam Ty dhe e duam të Dërguarin Tënd!!!
___________________________
[1] Allahu i Madhëruar ia përkujton Muhamedit, (Lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!), se ishte jetim, por njëkohësisht
ishte i privilegjuar me kujdesin që Allahu e mori përsipër për të: “A
nuk të gjeti ty jetim, e Ai të bëri vend (të dha përkrahje).” (Duha, 6).
[2] Mësimet e Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë
mbi të!), janë rregull, mirësi, rend, humanizëm. Kjo padyshim se
është dobi e madhe për të gjithë njerëzit, përfshirë këtu edhe
jomuslimanët, por edhe për të gjitha krijesat.
[3] Shënon Muslimi.
[4] Shënon Muslimi.
[5] Shënon Buhariu.
[6] Shënon Buhariu.
[7] Shënon Buhariu.
[8] Shënon Buhariu.
[9] Shënon Buhariu.
[10] Shënon Ebu Nuajmi, Hakimi dhe Hejthemiu.
[11] Shënon Buhariu.
[12] Shënon Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi.
17
[13] Shënon Ahmedi dhe Begaviu.
[14] Shënon Muslimi.
[15] Shënon Tirmidhiu.
[16] Shih: Sahihul-xhami’.
[17] Shënon Ebu Ja’la dhe Ibën Huzejme.
[18] Shënon Buhariu.
[19] Shënon Ahmedi.
[20] Burimi, të cilin Allahu ia ka dhënë si dhuratë të Dërguarit të
Vet Muhamedit, (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të!),
ashtu që kush pi prej atij burimi kurrë më nuk do të ndijë etje,
ndërsa kush nuk pi, kurrë nuk do të ngopet. Besimi në këtë, bën
pjesë gjithsesi në besimin në Ditën e Gjykimit, ngase kjo është prej
momenteve shumë të rëndësishme të asaj dite.
[21] Shënon Muslimi.