FESTA E BAJRAMIT - GËZIM PËR SUKSESET
Në natyrën e njeriut ekziston gatishmëria dhe dëshira për të
gëzuar dhe festuar. Kjo dëshirë manifestohet në forma dhe mënyra
të ndryshme. Sipas logjikës së shëndoshë, më së miri është që
njeriu të festojë me arsye dhe do të ishte e padiskutueshme nëse
arsyeja do të ishte ndonjë sukses i arritur në jetë. Islami jo
rastësisht ka përkufizuar që dy festat e Bajrameve (të vetmet festa
gjatë gjithë vitit) të vijnë pas dy sezonesh-kohësh të vlefshme që
shquhen për aktivitetet shtesë: Fitër Bajrami vjen pas muajit të
ramazanit, ndërsa Kurban Bajrami vjen pas dhjetë ditëve të
vlefshme të dhulhixhes.
Kjo renditje dëshmon se myslimani duhet të festojë vetëm
atëherë kur kryen me sukses ndonjë ibadet (adhurim) të rëndësisë
së veçantë.
Është e drejtë të festohet pas një muaji të kaluar me agjërim
dhe me vepra të tjera vullnetare, por duhet vërejtur se madhështinë
e Islamit e dëshmon edhe fakti se edhe festat në Islam duhen bërë
në atmosferë aktiviteti, adhurimi, bamirësie dhe solidariteti.
Mund të themi se edhe gjatë festës së Bajramit duhet të
mbretërojë kjo atmosferë serioziteti, por e përshkuar me një
ndjenjë gëzimi, e cila gjithsesi duhet të shprehet dhe të
manifestohet në mënyra të përkufizuara fetarisht, si p.sh.: vizitat e
ndërsjella dhe ushqimet e pijet që tregojnë përfundimin e kohës së
agjërimit. Madje ka hapësirë edhe për dëfrim duke lozur, kënduar e
të ngjashme. Një gjë e tillë duhet të bëhet edhe pas kryerjes së
ritualit të haxhit.
Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medinë, ai vërejti se
vendasit festonin dy festa gjatë vitit dhe, sipas asaj që transmeton
Enesi, u tha: “Ju kishit dy ditë (të ndryshme) në të cilat luanit dhe
dëfreheshit, e Allahu ua zëvendësoi ato me dy ditë (festa) më të mira:
Festa e Fitrit dhe Festa e Kurbanit.” [Transmetojnë Ebu Davudi dhe
Nesaiu]
3
Festa e Bajramit është prej simboleve të Islamit, madje prej më
të mëdhave me të cilat manifestohet Islami. Është festë për atë që
ka shpirtin e pastër dhe qëllimin e dëlirë për Allahun e jo vetëm
për atë që vishet dhe stoliset me stolitë e kësaj bote. Shpirti, zemra
dhe veprat e myslimanit duhen stolisur me iman, devotshmëri dhe
sjellje islame.
Fatkeqësisht, prej formave të devijimit te disa myslimanë është
edhe angazhimi i tyre për disa festa që gjithsesi janë fetare, por jo
islame (viti i ri, krishtlindjet, etj.), por e harrojnë Bajramin,
domethënien dhe mesazhin që duhet të kuptohet prej tij. Festimi i
Bajramit dhe mënyra e këtij festimi janë dëshmi se sa autoritet ka
feja e Allahut në zemrën e myslimanit. Ajo është tregues shumë i
saktë për nivelin e devotshmërisë.
“Kjo është kështu ngase kush i madhëron simbolet e Allahut, atëherë
këtë e bën nga devotshmëria e zemrës.” [Haxh, 32]
Ana tjetër e festimit, ajo formalja, padyshim vërehet te rregullat
e Bajramit, si: ngritja e zërit me tekbir, dhënia e zekatul-fitrit si
shprehje e solidaritetit obligativ, larja, parfumosja dhe veshja e
rrobave më të bukura (për burrat), ngrënia e disa hurmave para se
të shkohet për të falur (Fitër) Bajramin, shkuarja në faljen kolektive
të namazit të Bajramit, urimet dhe lutjet e ndërsjella për pranimin e
veprave të mira dhe të tjera rregulla të shumta.
Nuk duhet harruar se Allahu është Zoti i Ramazanit dhe i të
gjithë muajve, Ai duhet të adhurohet gjithnjë. Festa e Bajramit le të
na shërbejë për të mbledhur forca të reja për të vazhduar rrugën e
adhurimit.