ADHURIMI JONË GJATË DIMRIT
Jemi në dimër dhe moti ndryshon, ndërsa ne sërish duhet të
vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt mëshirës dhe xhenetit të Allahut,
duke e adhuruar Atë, të Vetmin me sinqeritet dhe në formën si na
ka mësuar i Dërguari i Tij, salAllahu alejhi ue selem. Një gjë të tillë
kemi mundësi ta bëjmë shumë lehtë gjatë dimrit, për shkak të
kohës së lirë që mund ta gjejmë në këto ditë. Meqë gjurmët e
adhurimit ndaj Allahut vërehen në çdo gjë dhe ato gjëra
ndryshojnë nga vera në dimër, atëherë le t’i mësojmë çështjet më të
rëndësishme që kanë të bëjnë me ibadetin tonë ndaj Allahut gjatë
dimrit...
Rreth pastërtisë dhe abdesit
Allahu i Madhëruar thotë: “...dhe nga qielli zbritëm ujë të pastër”.
Imam Begaviu sqaron: “I pastër në vete dhe pastrues për tjetrin”,
d.m.th., nuk ka asnjë pengesë që të merret abdes me atë ujë, qoftë
shi apo borë. Marrja e abdesit në këtë gjendje ka edhe shpërblimin
e dalluar, Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “...dhe
tri gjëra që shlyejnë mëkatet – ku mes tjerash përmendi – përkryerja e
abdesit kur bën ftohtë”. Ta përkryejmë abdesin jemi të urdhëruar
ndërsa në raste dimri dhe vështirësie shpërblimi shtohet. T’i lash të
gjitha pjesët e abdesit mirë e mirë, madje t’i lash më shumë sesa je i
detyruar, kjo quhet përkryerje e abdesit. Me këtë rast dua të
përmend tre çështje:
a. Gjatë ditëve të ftohta, disa njerëz lëre që nuk përkryejnë
abdesin, ata madje nuk i lajnë as ato që janë të domosdoshme, saqë
bëjnë vetëm fërkimin e pjesëve me duar të lagura. Kjo nuk lejohet
në asnjë mënyrë, madje mund të quhet edhe prej prishësve të
abdesit. Disa të tjerë nuk i ngrenë mëngët deri mbi bërryla, që t’i
lajnë krahët me gjithë bërryla, edhe kjo është haram dhe në këtë
mënyrë abdesi nuk është i vlefshëm.
b. Disa njerëz ngurrojnë të ngrohin ujin për abdes, ndërsa për
këtë gjë nuk kanë asnjë argument nge Feja. Megjithëse ka hadithe
që lëvdojnë përkryerjen e abdesit gjatë vështirësive dhe të ftohtit,
dijetari El Ubej thotë: “Ngrohja e ujit për abdes, që pastaj të kryhet me
lehtësi adhurimi, nuk pengon arritjen e atyre shpërblimeve”.
c. Disa njerëz ngurrojnë të fshijnë ujin e abdesit nëpër gjymtyrë,
duke menduar se do bëjnë gjynah, por kjo nuk ka bazë,
përkundrazi është vërtetuar se Resulullahu, salAllahu alejhi ue
selem, kishte një pëlhurë me të cilën thante gjymtyrët pas abdesit.
Gjatë dimrit gjithashtu shtohen shirat dhe lloçi, të cilat shpesh i
përlyejnë rrobat dhe një gjë e tillë mund të jetë problem për dikë,
por atyre u themi: Nuk ka nevojë t’i lash ato rroba që janë përlyer
me lagështi apo copa lloçi, sepse ai është i pastër, si dhe është
vërtetuar nga një numër i madh tabiinësh, se ata zhyteshin në shi e
lloç dhe pastaj hynin në xhami. E njëjta gjë vlen edhe nëse ndonjë
pikë lagështie bie në rroba dhe njeriu nuk e di: a është e pastër apo
jo? Ai nuk detyrohet të pyesë se çfarë është, sepse kjo gjë vetëm se
ia shton vesvesen atij. Përveç nëse ka bindje se në të ka ndyrësi,
atëherë detyrohet ta lajë pjesën e përlyer.
Tejemumi
Ai që nuk gjen ujë apo nuk ka mundësi ta përdorë atë për shkak
të largësisë apo të ftohtit të madh dhe nuk ka mundësi ta ngrohë,
atëherë i lejohet të merr tejemum dhe të falet, duke mos e
përsëritur namazin pasi të gjejë ujin.
Tejemumi merret duke prekur tokën një herë me të dy duart
dhe duke e fërkuar fytyrën dhe pastaj duart. Në thelb duart duhet
të prekin dheun, nëse jo, atëherë mundet edhe gurin, zallin dhe të
ngjashme.
Mes’hu (fërkimi) mbi këpucë apo çorape
Prej lehtësimeve fetare është se në vend që të lahen këmbët gjatë
abdesit, të mjaftohemi vetëm me fërkimin e këpucëve, mesteve
apo çorapeve. Ibën Dekik el-Idi thotë: “Te dijetarët e sheriatit është i
njohur lejimi për mes’hun mbi këpucë, madje ajo është bërë simbol i Ehli
Sunetit, ndërsa mohimi i kësaj është bërë simbol i shiave”. Dijetari
Muhamed Xhemaludin Kasimi i tuboi hadithet që flasin për
mes’hun mbi çorape në një libër që e quajti “Mes’hu mbi çorape”.
Rreth mes’hut mbi meste, këpucë apo çorape duhet të dimë:
- Çorapet dihet çfarë janë, gjithçka pra, që vishet në këmbë dhe
nuk është prej lëkure, pavarësisht janë të holla apo të trasha quhet
çorap. Mbi të gjitha këto lejohet të jepet mes’h. Nëse janë të
shqyera gjithashtu lejohet të jepet mes’h mbi to, përveç nëse janë të
shqyera aq shumë, saqë nuk mund të quhen çorape dhe nuk mund
të ecet me to, atëherë nuk lejohet. Pjesë-pjesë ishin të shqyera edhe
këpucët e muhaxhirëve dhe ensarëve, për shkak të varfërisë që
kishin, e sikur shqyerja të ishte pengesë për mes’hun, këtë do t’ua
bënte të qartë i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem.
- Çorapet, mestet apo këpucët mbi të cilat vlen të merret mes’h
janë ato, të cilat vishen duke pasur abdes.
- Kohëzgjatja e mes’hut për vendasin është një ditë e një natë
ndërsa për udhëtarin tre ditë e tri net. Numërimi i kohëzgjatjes
fillon që nga mes’hu (fërkimi) i parë.
- Zbathja e çorapeve, mesteve apo këpucëve nuk e prish
abdesin, por e humb të drejtën e fërkimit të sërishëm të tyre.
Gjithashtu abdesin nuk e prish edhe mbarimi i kohëzgjatjes së
mes’hut.
Ezani
Në një ditë me shi, Ibën Abasi, radijAllahu anhuma, i kishte
thënë muezinit: pasi të thërrasësh: “ue eshhedu enne
muhammeden resulullah – dhe dëshmoj se Muhamedi është i
dërguar i Allahut” mos thërrit “hajj ales salah – ejani në namaz”,
por thërrit: “sal’lu fi bujutikum – faluni në shtëpitë tuaja”. Një
veprim i tillë nuk u pëlqeu njerëzve, ndërsa ai tha: Kështu ka
vepruar ai që ishte më i mirë se unë...” ; gjithashtu Ibën Omeri, në
një natë të ftohtë në Daxhnan thërriti ezanin, pastaj tha: Faluni aty
ku jeni, dhe na lajmëroi se i Dërguari, salAllahu alejhi ue selem,
gjatë netëve të ftohta dhe ato me shi, në udhëtim, urdhëronte një
muezin të thërriste ezanin, i cili në fund do të shtonte: Faluni aty
ku jeni.
Nga këto hadithe mësojmë lehtësimin e jo-pranisë në namazin
me xhemat me arsye. Kurtubiu ka thënë: “Shihet qartë se lejohet të
mos jesh i pranishëm në xhemat, për shkak të vështirësisë së shiut, erës, të
ftohtit dhe të ngjashmeve që shkaktojnë vështirësi, qoftë kur je vendas apo
në udhëtim”.
Mësojmë se në vend të fjalisë: “Hajje ales salah” duhet thënë:
“Sal’lu fi rihalikum”, por nëse nuk e thotë, nuk prish gjë. Të falesh
në shtëpi apo aty ku je në këso rastesh është e lejuar dhe jo detyrim
(vaxhib), prandaj nëse dikush shkon që të falet me xhemat në këso
rastesh, ai nuk ka bërë asnjë gabim, përkundrazi ai shpërblehet për
këtë. Por edhe ai që nuk shkon në xhami nuk ka bërë gabim, sepse
ka shfrytëzuar një nga lehtësimet e kësaj Feje.
Namazi
- Bashkimi i namazeve
Ibën Abasi ka thënë: “Resulullahu, salAllahu alejhi ue selem, fali
të bashkuara drekën dhe iqindinë, si dhe akshamin me jacinë pa pasur
shi apo ndonjë frikë. E pyetën: Pse veproi ashtu? Që të mos ia
vështirësojë Umetit – u përgjigj ai”.
Abdullah b. Shekiku rrëfen: Një ditë pas iqindisë Abdullah b.
Abasi na ligjëroi derisa perëndoi dielli dhe filluan të shihen yjet.
Njerëzit tregonin shqetësim: Namazi! Namazi! Pastaj, iu afrua një
njeri nga fisi Beni Temim dhe i tha: Namazin! Namazin! Ibën
Abasi ia ktheu: Mjerë nëna që të ka, ti dëshiron t’ma mësosh
Sunetin?! E kam parë të Dërguarin, salAllahu alejhi ue selem,
bashkoi drekën me iqindinë dhe akshamin me jacinë. Abdullah b.
Shekiku shtoi: Nuk isha i qetë në shpirt, ndaj shkova ta pyes për
këtë Ebu Hurejren dhe ai e vërtetoi të njëjtin veprim.
Duke u bazuar në këtë hadith Imam Shafiu arsyeton bashkimin
e drekës me iqindinë dhe akshamin me jacinë me xhemat në rast
shiu, por edhe bore. Imam Maliku dhe Imam Ahmedi e lejojnë
këtë për aksham dhe jaci, por jo edhe për drekë dhe iqindi. Në këtë
çështje më i rreptë është Imam Ebu Hanife, i cili nuk e lejon
bashkimin e namazeve në asnjë mënyrë. Por mendimi më i saktë
është ai që është në pajtim me fjalët e Ibën Abasit. Allahu e di më
së miri.
Gjatë këtij bashkimi të namazeve duhet thirrur një ezan dhe
pastaj për secilin namaz nga një ikamet.
Ndërsa sunetet e këtyre namazeve duhen falur pas faljes së
farzeve tërësisht. P.sh.: Thirret ezani për kohën e akshamit, pastaj
ikameti, falet farzi i akshamit, pastaj thirret ikameti për jacinë, falet
farzi i jacisë e pastaj falen sunetet e akshamit, sunetet e jacisë dhe
namazi i vitrit, edhe pse akoma s’ka hyrë koha e jacisë.
Dispozita të tjera rreth namazit
- mbulimi i gojës dhe mbulimi i duarve gjatë namazit.
I Dërguari, salAllahu alejhi ue selem, ka ndaluar mbulimin e
duarve gjatë namazit dhe mbulimin e gojës. Këto gjëra mund të
ndodhin më shpesh gjatë dimrit, duke mbështjellë gojën me shall,
ose duke hedhur një batanije mbi shpatulla, me të cilat do t’i
mbulojë edhe duart. Ndaj po tërheqim vërejtjen duke treguar se
këto veprime janë të ndaluara, përveç në raste kur i ftohti është i
padurueshëm.
- mbajtja e dorezave.
Disa mendojnë se mbajtja e dorezave është sikurse mbulimi i
duarve me batanije dhe kështu e ndalojnë edhe mbajtjen e
dorezave, por kjo nuk është e vërtetë. Pra, mbajtja e dorezave nuk
prish punë.
- falja e namazit përballë zjarrit.
Gjatë ditëve të dimrit shtohet përdorimi i aparateve të nxehjes
të ndryshme dhe shpeshherë ato janë në drejtim të kibles dhe
shkëlqejnë para syve të falësve kur ata falen. Kjo gjë nuk lejohet,
sepse është përngjasim me adhuruesit e zjarrit, ndërsa i Dërguari,
salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush i ngjan një populli, ai
është prej tyre”. Gjithashtu ka ndaluar që falësi të jetë përballë
gjithçkaje, që do t’ia prishte përqendrimin dhe përuljen gjatë
namazit.
- falja e namazit në veturë apo autobus nga frika e dëmtimit.
Ibën Kudame në librin “el-Mugni” ka thënë: “Nëse dëmtohet nga
të bërit sexhde, ose nuk dëshiron t’i përlyejë duart dhe rrobat në baltë dhe
lagështi, atëherë mund të falet mbi kafshën e tij dhe bën shenjë për
sexhden”. Ibën Tejmije ka thënë: “Të falësh namazin farz i hipur mbi
kafshë nga frika se do t’i ikin bashkudhëtarët, apo nga frika se do të
dëmtohet nëse zbret, është veprim i saktë”.
Xhamitë
- ndërprerja e safeve për shkak të aparateve të nxehjes
Albani duke folur për çështjen e namazit mes shtyllave dhe
këputjes së safeve ka thënë: E ngjashme me shtyllat është edhe
vendosja e aparateve nxehëse nëpër disa xhami në atë mënyrë që i
ndërpresin safet. Ky është një gabim që ndoshta nuk e vëren, as
imami, as ndonjëri prej falësve. Kjo ndodh sepse shumë njerëz nuk
i dinë ligjet e Fesë, por edhe për shkak se pak njerëzve u intereson
nëse bëjnë gabim apo jo.
- poterja për shkak të (jo)bashkimit të namazeve
Kjo ndodh shpesh dhe në shumë xhami, saqë thuhen shumë
fjalë të pahijshme dhe bëhet potere e hatashme, me shumë
injorancë dhe me pak dije. Njëri thotë: Të bashkuara duhet t’i
falim! Jo, ende nuk duhet – ia kthen tjetri. Ndërsa i treti e ndihmon
të dytin, i katërti të parin e kështu me radhë. Që kjo mesele të jetë e
qartë, po përkujtojmë dy gjëra:
a. imami i xhamisë është i ngarkuari që merr vendimin dhe ai
mban përgjegjësinë e atij vendimi mes tij dhe Zotit. I Dërguari,
salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: “Imami është garanci, nëse
vepron mirë ka shpërblim ai dhe ata, e nëse gabon, ai mban
përgjegjësinë, ndërsa ata kanë shpërblim”. Kush i bindet vendimit
të imamit është më mirë, por ai që nuk pajtohet le të falet me
imamin me nijet për namaz vullnetar dhe pastaj le të shkojë i qetë
dhe pa bërë asnjë potere.
b. xhamitë kanë pozitën, nderin dhe karizmin e tyre, ndaj nuk
lejohet të nëpërkëmben ato. Omeri, radijAllahu anhu, i kishte parë
dy njerëz në xhami dhe i kishte thirrur për t’i pyetur: Prej nga jeni
ju? Nga Taifi – u përgjigjën. Sikur të ishit nga Medina do t’ju kisha
rrahur, si mund të ngrini zërin në xhaminë e Resulullahut,
salAllahu alejhi ue selem?
Disa lutje
- Duaja me rastin e erës
“Allahumme inni es`eluke hajreha ue hajre ma fiha, ue hajre ma
ursilet bihi, ue eudhu bike min sherriha ue sherri ma fiha, ue sherri
ma ursilet bihi.” – “O Zot, kërkoj nga Ti të mirën e saj, të mirën që
del prej saj, të mirën që është dërguar me të, më mbro prej të keqes
së saj, të keqes që del prej saj dhe prej të keqes që është dërguar me
të.”
- Duaja kur murmuron (bubullin)
“Subhanel ledhi jusebbihur ra’du bi hamdihi uel melaiketu min
hifetihi” – “I Lartmadhëruar qoftë Ai, që e madhëron murmurima
(bubullima), me falënderimin e Tij, e edhe melaiket (e madhërojnë)
prej frikës ndaj Tij.”
- Duatë për kërkimin e shiut apo borës (ISTISKA)
“Allahumme eskina gajthen mugithen, merien meri’an, nafian gajre
darr, axhilen gajre axhil.” – “O Zot, të lutem na lësho shi ndihmues,
të lehtë dhe frytdhënës, të dobishëm e jo të dëmshëm, të
menjëhershëm e jo të vonuar.”
- Duaja kur bie shi apo borë
“Allahumme sajjiben nafian” – “O Zot, kërkoj shi të madh, të
dobishëm.”
- Duaja pasi bie shi apo borë
“Mutirna bi fadlilahi ue rahmetihi” – “U furnizuam me shi nga
mirësia dhe mëshira e Allahut.”
- Duaja kundër vërshimit
“Allahumme havalejna la alejna. Allahumme alel akami uedh dhirabi,
ue butunil eudijeti, ue menabitish shexher.” – “O Zot, rreth nesh e jo
mbi ne. O Zot, ktheje kodrave dhe kodrinave, luginave dhe
pyjeve.”
(Shumica e mësimeve në këtë shkrim janë të përfituara nga libri
“Ahkamu Shita fi Sunetil Mutahhere” të dijetarit Ali b. Hasen Halebit.
Këtu i kam sjellë në formë të shkurtuar dhe me ca shtesa të dobishme.)