Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Islami është feja e Zotit të botëve
Kush është Zoti yt?
Kjo është pyetja më e madhështore në këtë ekzistencë dhe është pyetja më e rëndësishme, përgjigjen e së cilës duhet ta dijë çdokush.
Zoti ynë është Ai që i krijoi qiejt dhe Tokën, zbriti ujë prej lart dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta dhe pemë si ushqim për ne dhe për kafshët, me të cilin ushqehemi.Ai është i Cili na krijoi ne e baballarët tanë dhe krijoi çdo gjë. Ai është që e krijoi natën e ditën. Kështu, natën e bëri kohë për gjumë e pushim, ndërsa ditën për të kërkuar furnizim.Ai është që na nënshtroi Diellin, Hënën, yjet dhe detet, si dhe na nënshtroi kafshët, prej të cilave hamë dhe përfitojmë nga qumështi dhe leshi i tyre.
Çfarë cilësish ka Zoti i botëve?
Zoti është Ai që e krijoi njerëzimin dhe që i udhëzon ata në të vërtetën dhe udhëzimin. Ai është që i drejton punët e të gjitha krijesave: Ai i furnizon ato. Ai është Sunduesi i çdo gjëje në këtë botë dhe në botën tjetër: çdo gjë është mbretëri e Tij dhe çdo gjë tjetër pos Tij është pronë e Veta.Ai është i Gjalli që nuk vdes e nuk fle. Ai është i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje: çdo gjë ekziston me urdhrin e Tij. Mëshira e Tij përfshin çdo gjë dhe Atij asgjë nuk i fshihet, as në Tokë e as në Qiell.Asgjë nuk është si Ai. Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi. Ai është mbi qiejt e Tij, i pavarur nga krijesat, ndërsa ata kanë nevojë për Të. Ai nuk është i shkrirë në krijesat e Tij dhe asgjë nga krijesat e Tij nuk është e shkrirë në Veten e tij. I Patëmeta dhe i Lartësuar është Ai!Zoti është Ai që e krijoi këtë botë që e shohim me të gjitha sistemet e saj të ekuilibruara, të cilat nuk dështojnë, qofshin ato sistemet e trupave njerëzorë dhe të kafshëve, qofshin sistemet e universit rreth nesh me Diellin, yjet dhe përbërësit e tjerë.
Çdo gjë që adhurohet pos Tij nuk posedon as dobi e as dëm për vete, e si mund t'u sjellë dobi atyre që e adhurojnë atë ose t'i largojë dëmet prej tij?
Cila është e drejta e Zotit te ne?
E drejta e Tij mbi të gjithë njerëzit është që ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë (në adhurim). Ata nuk duhet të adhurojnë ndonjë njeri, gur, lumë, objekt të ngurtë, planet ose ndonjë gjë tjetër përveç Tij ose së bashku me Të. Përkundrazi, ata duhet t'ia kushtojnë adhurimin çiltërisht vetëm Allahut, Zotit të botëve.
Cila është e drejta e njerëzve te Zoti i tyre?
E drejta e njerëzve në raport me Allahun është që, nëse e adhurojnë Atë, Ai t'u japë atyre jetë të këndshme, në të cilën do të gjejnë siguri, paqe, qetësi dhe kënaqësi, ndërsa në botën tjetër t'i futë në Xhenet, ku ka lumturi të përhershme dhe përjetësi të vazhdueshme. E, nëse i mëkatojnë dhe nuk i binden urdhrit të Tij, atëherë Ai do t'ua bëjë jetën të mjerë dhe mynxyrë, edhe nëse ata mendojnë se janë në lumturi dhe rehati, ndërsa në botën tjetër do t'i futë në Zjarr, nga i cili nuk do të dalin dhe aty do të kenë vuajtje të përjetshme e përjetësi të vazhdueshme.
Cili është qëllimi i ekzistencës sonë? Pse u krijuam?
Zoti Bujar na ka treguar se na krijoi për një qëllim fisnik: ta adhurojmë vetëm Atë dhe të mos i bëjmë shok Atij (në adhurim). Gjithashtu na ka ngarkuar me mirëmbajtjen e tokës me mirësi dhe përmirësime. Kushdo që adhuron dikë tjetër përveç Zotit dhe Krijuesit të tij, nuk e ka njohur qëllimin për të cilin është krijuar dhe nuk e përmbush detyrën e tij ndaj Krijuesit. Po ashtu, kush bën prishje në Tokë, nuk e di misionin për të cilin është ngarkuar.
Si ta adhurojmë Zotin tonë?
Zoti i Lartmadhëruar nuk na krijoi të atillë për të na lënë pas dore e as që na e bëri jetën kot së koti. Përkundrazi, Ai zgjodhi nga njerëzit të dërguar për te popujt e tyre, të cilët ishin njerëzit me moral më të plotë, me shpirtrat më të pastër dhe me zemrat më të dëlira. Ai u dërgoi atyre shpalljet e Tij, duke përfshirë gjithçka që njerëzit duhet të dinë për Zotin e Lartmadhëruar dhe për ringjalljen e njerëzve në Ditën e Kiametit, e cila është Dita e Llogaridhënies dhe Shpërblimit.Të dërguarit ua kumtuan popujve të tyre si ta adhurojnë Zotin e tyre dhe ua shpjeguan mënyrën dhe kohën e adhurimeve, si dhe shpërblimin për to në këtë botë dhe në botën tjetër. Ata i paralajmëruan për gjërat që Zoti i tyre ua kishte ndaluar, nga llojet e ushqimeve, pijeve dhe martesave, si dhe i udhëzuan drejt virtyteve të larta morale e i ndaluan nga veset e liga.
Cila fe është e pranueshme te Zoti i Lartmadhërishëm?
Feja e pranuar nga Zoti është Islami. Ai është feja që e kanë kumtuar të gjithë të dërguarit dhe Allahu në Ditën e Kiametit nuk do të pranojë asnjë fe tjetër përveç tij. Çdo fe që njerëzit e përqafojnë përveç Islamit është fe e kotë e nuk do t'i bëjë dobi pjesëtarit të saj, por do të jetë mjerim për të në këtë botë dhe në botën tjetër.
Cilat janë bazat dhe shtyllat e Islamit?
Këtë fe Allahu e ka lehtësuar për robërit e Tij. Shtyllat e tij më të mëdha janë: të besosh në Allahun si Zot dhe i Adhuruar, të besosh në melekët e Tij, librat, të dërguarit, Ditën e Fundit dhe kaderin. Kështu, të dëshmosh se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, ta falësh namazin, ta japësh zekatin nëse ke pasuri për të cilën obligohet zekati, ta agjërosh Ramazanin, i cili është vetëm një muaj në vit, si dhe ta kryesh haxhillëkun për hir të Allahut në Shtëpinë e Lashtë, të cilën e ndërtoi Ibrahimi (alejhi selam) me urdhrin e Zotit të tij, (kuptohet) nëse ke mundësi për këtë.Ju duhet të shmangni atë që Zoti ju ka ndaluar, siç është politeizmi, vetëvrasja, zinaja dhe përvetësimi i parave të ndaluara, nëse besoni në Zotin e i kryeni këto ibadete dhe shmangni këto gjëra të ndaluara, atëherë ju jeni muslimanë në këtë botë dhe në Ditën e Kiametit Zoti do t'ju japë lumturi të përjetshme dhe përjetësi të përhershme në Xhenet.
A është Islami fe për një popull e racë?
Islami është feja e Allahut për të gjithë njerëzit. Askush nuk ka epërsi ndaj askujt, përveçse në devotshmëri e vepra të mira, dhe njerëzit në të konsiderohen të barabartë.
Si ta dinë njerëzit vërtetësinë e të dërguarve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!)?
Njerëzit e dinë vërtetësinë e të dërguarve në disa mënyra. Prej tyre theksojmë:
Atë të vërtetë dhe udhëzim që ata sjellin, e pranojnë mendjet dhe natyrshmëria e shëndoshë (njerëzore), si dhe mendjet dëshmojnë se ajo është e bukur. Askush tjetër përveç të dërguarve nuk ka mundësi të sjellë diçka të ngjashme me atë që sollën ata.
Ajo që sollën të dërguarit përfshin përmirësimin e fesë së njerëzve dhe jetën e kësaj bote, mbarëvajtjen e punëve të tyre, ndërtimin e qytetërimit të tyre dhe ruajtjen e fesë, mendjes, pasurisë dhe nderit të tyre.
Të dërguarit (alejhim selam) nuk kërkojnë nga njerëzit shpërblim për udhëzimin e tyre drejt mirësisë dhe udhëzimit, por ata e presin shpërblimin e tyre nga Zoti.
Ajo që sollën të dërguarit është e vërtetë dhe e sigurt, jo e përzier me dyshim; nuk ka përplasje mes vete e as ngatërrime. Çdo profet i vërteton profetët e mëparshëm dhe thërret në të njëjtën gjë në të cilën thirrën ata.
Allahu i përkrah të dërguarit (alejhim selam) me shenja të qarta dhe mrekulli bindëse, të cilat Allahu ua mundëson t'i kryejnë me duart e tyre, për të qenë dëshmi e së vërtetës se ata janë dërguar nga Allahu. Mrekullia më e madhe e profetëve është mrekullia e të Dërguarit të fundit, Muhamedit ﷺ - Kurani i madhërishëm.
Çka është Kurani i madhërishëm?
Kurani i madhërishëm është libri i Zotit të botëve dhe është Fjala e Allahut që i është shpallur të dërguarit Muhamed nga meleku Xhibril (alejhi selam). Ai ngërthen në vete gjithçka që Allahu i ka obliguar njerëzit të dinë për Allahun, melekët e Tij, librat, të dërguarit, Ditën e Fundit dhe kaderin, qoftë i mirë, qoftë i keq.Ai ngërthen në vete po ashtu adhurimet e detyrueshme, gjërat e ndaluara, nga të cilat njeriu duhet të ruhet, virtytet e larta morale, veset e liga dhe gjithçka që lidhet me çështjet e fesë, të kësaj bote dhe të botës tjetër. Kurani është një libër i paimitueshëm, me të cilin Allahu i sfidoi njerëzit të sjellin një të ngjashëm me të. Ai është i ruajtur deri në Ditën e Kiametit në gjuhën në të cilën është shpallur, pa munguar e pa ndryshuar asnjë fjalë prej tij.
Cili është argumenti për Ringjalljen dhe Llogaridhënien?
A nuk e sheh kur Toka të jetë e thatë dhe e shkretë, kur shiu zbret mbi të, ajo gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë është i Fuqishëm t'i ngjallë edhe të vdekurit.Ai që e krijoi njeriun prej një pike lëngu të shpërfillur është i Fuqishëm ta ringjallë atë në Ditën e Kiametit, ta marrë në llogari dhe ta shpërblejë me shpërblimin më të plotë: nëse ka bërë mirë, atëherë mirë do të gjejë, e, nëse ka bërë keq, atëherë keq do të gjejë.Ai që i krijoi qiejt, Tokën dhe yjet është i Fuqishëm ta rikrijojë njeriun, sepse rikrijimi i njeriut është më i lehtë sesa krijimi i qiejve dhe i Tokës.
Çfarë do të ndodhë në Ditën e Kiametit?
Zoti i Lartmadhërishëm do t'i ringjallë njerëzit nga varret e tyre, pastaj do t'i marrë në llogari për veprat që kanë bërë. Kushdo që besoi dhe i vërtetoi të dërguarit, do të futet në Xhenet, në të cilin është lumturia e përjetshme, madhështinë e të cilit nuk mund ta mendojë kush. Ndërkaq, këdo që nuk beson, do ta futë në Zjarr, në të cilin do të ketë vuajtje të përjetshme, që njeriu nuk mund t’i imagjinojë. Andaj, kur njeriu të hyjë në Xhenet ose në Zjarr, nuk do të vdesë kurrë, sepse ai do të jetë përgjithmonë ose në lumturi, ose dënim.
Nëse një person dëshiron të hyjë në Islam, çfarë duhet të bëjë? A ka rituale që duhet t'i kryejë e njerëz që duhet t'i japin leje?
Nëse një person mëson se feja e vërtetë është Islami dhe se është fe e Zotit të botëve, atëherë duhet të nxitojë të hyjë në Islam, se, nëse të mençurit i bëhet e qartë e vërteta, duhet të nxitojë drejt saj dhe të mos e shtyjë këtë çështje.Kushdo që dëshiron të hyjë në Islam, nuk duhet të kryejë rituale të veçanta, as duhet të jetë në praninë e dikujt në mesin e njerëzve. Por, nëse kjo është në prani të një muslimani ose në ndonjë qendër islame (a xhami), atëherë është mirë e më mirë. Përndryshe, i mjafton të thotë: "Dëshmoj se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij", duke e ditur kuptimin e saj e duke i besuar dhe kështu ai bëhet musliman. Pastaj, ai mëson pak nga pak pjesën tjetër të dispozitave të Islamit, që t'i kryejë adhurimet që ia ka obliguar Allahu.