29. Islami urdhëron që të sillemi mirë me prindërit, edhe nëse nuk janë muslimanë. Gjithashtu urdhëron të kujdesemi për fëmijët.
Islami urdhëron që të sillemi mirë me prindërit. Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij dhe që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti." (El Isra, 23) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë.” (Lukman, 14) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi e që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Te Ti kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!” (El Ahkaf, 15) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një burrë vajti te Pejgamberi ﷺ e i tha: "O i Dërguari i Allahut! Kush e meriton më së shumti shoqërinë time të sinqertë?" Pejgamberi ﷺ i tha: “Nëna jote.” Ai pyeti: "Pastaj kush?" Ai tha: “Nëna jote.” Ai pyeti: "Pastaj kush?" Ai tha: “Nëna jote.” Pyeti sërish: "Pastaj kush?" Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Pastaj babai yt.” (E shënon Muslimi, numër 1218)
Ky urdhër thekson se duhet të sillemi mirë me prindërit, qofshin muslimanë, qofshin jomuslimanë. Esma, e bija e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), tregon: "Gjatë kohës kur kurejshët lidhën marrëveshje paqeje dhe armëpushimi me Pejgamberin ﷺ, erdhi nëna ime idhujtare me babanë e saj (për të më takuar), kështu që i thashë Pejgamberit ﷺ: "Nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron t’i mbajë lidhjet me mua." Pejgamberi ﷺ ia ktheu: “Po, mbaji lidhjet me nënën tënde.” (E shënon Buhariu, numër 3183) Nëse prindërit përpiqen dhe orvaten që fëmija të kalojë nga Islami në mosbesim (kufër), Islami në këtë gjendje e urdhëron fëmijën që të mos i dëgjojë, por të qëndrojë besimtar në Allahun, njëherazi t’u bëjë mirë dhe të sillet me ta njerëzishëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ata orvaten që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ta në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë." (Lukman, 15)
Islami nuk e ndalon muslimanin t’u bëjë mirë të afërmve idhujtarë ose jo të afërmve, nëse nuk e luftojnë atë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët." (El Mumtehine, 8)
Islami urdhëron të kujdesemi për fëmijët. Gjëja më e madhe që Islami e urdhëron prindin është t’ua mësojë fëmijëve të drejtat e Zotit kundrejt tyre, siç e porositi i Dërguari ﷺ djalin e xhaxhait të tij, Abdullah ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O djalosh! A të t’i mësoj disa fjalë, me të cilat Allahu do të të bëjë dobi?" Thashë: "Gjithsesi." Më tha: “Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh para vetes. Njihe Atë kur të jesh në rehati, që të të njohë kur të jesh në vështirësi! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu!” (E shënon Ahmedi, 4/287)
Allahu i urdhëroi prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre gjëra që u sjellin dobi në çështjet e kësaj bote dhe në çështjet e fesë. Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ata." (Et Tahrim, 6) Përcillet se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: “Ruani veten dhe familjet tuaja nga Zjarri” ka thënë: “Edukojini dhe mësojini!” Gjithashtu i Dërguari ﷺ e urdhëroi prindin që t’ia mësojë fëmijës namazin, që të edukohet e të rritet me të. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namazin kur të jenë shtatë vjeç!” (E shënon Ebu Davudi, numër 495) Gjithashtu i Dërguari ﷺ ka thënë: “Secili prej jush është bari (përgjegjës), andaj secili do të japë përgjegjësi për kopenë e vet. Burri është përgjegjës për familjen e tij, ndaj do të japë përgjegjësi për të. Gruaja është përgjegjëse për shtëpinë e burrit të vet, ndaj do të pyetet për të. Shërbëtori është përgjegjës për pasurinë e zotërisë së vet, ndaj do të pyetet për të. Pra, secili është bari, andaj secili do të pyetet për kopenë e vet.” (E shënojnë Buhariu, numër 893 dhe Muslimi, numër 1829)
Islami e urdhëroi prindin që të shpenzojë për fëmijët dhe familjen - gruan e tij. Diç rreth kësaj është përmendur më herët në paragrafin numër 18. I Dërguari ﷺ, duke sqaruar vlerën e shpenzimit për fëmijët, është shprehur: “Dinari më i mirë që e shpenzon njeriu është dinari të cilin e shpenzon për familjen e vet, pastaj dinarin që e shpenzon për kafshën e vet në rrugën e Allahut dhe dinarin të cilin e shpenzon për shokët e vet në rrugën e Allahut.” Ebu Kilabe ka thënë: "Filloi me familje. E cili njeri ka shpërblim më të madh sesa ai i cili shpenzon për fëmijët e vegjël, ua ruan nderin, - ose Allahu u bën dobi me të, - dhe u mjafton." (E shënon Muslimi, numër 994)
30. Islami urdhëron drejtësi në fjalë dhe në vepër, madje edhe me armiqtë.
Allahu i Lartmadhërishëm është i cilësuar me drejtësi në veprimet e Tij dhe në rregullimin e çështjeve të robërve të Tij. Ai është në udhë të drejtë në atë që urdhëron dhe në atë që e ndalon; në atë që e ka krijuar dhe përcaktuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit." (Alu Imran, 18) Të gjithë profetët dhe të dërguarit erdhën me drejtësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Zoti im urdhëron drejtësi." (El Araf, 29) Të gjithë profetët dhe të dërguarit erdhën me drejtësi. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt." (El Hadid, 25) Peshorja e përmendur në ajet ka për qëllim drejtësinë në fjalë dhe vepra.
Islami urdhëron drejtësi në fjalë dhe në vepër, madje edhe me armiqtë. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu është për ta vlerësuesi më i drejtë. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju ngatërroni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju." (En Nisa, 135) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, pra, kurrsesi të mos ju nxisë që t’i sulmoni! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (El Maide, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë." (El Maide, 8) A gjen në kanunet e popujve sot ose në fetë e njerëzve diç të ngjashme me këtë urdhër për të dëshmuar drejt dhe për ta thënë fjalën e vërtetë edhe kundër vetes, prindërve e të afërmve?! A gjen ndonjë urdhër për të pasur drejtësi me mikun e me armikun?!
I Dërguari ﷺ urdhëroi të mbahet drejtësi ndërmjet fëmijëve. Nga Amiri përcillet se ka thënë: "E kam dëgjuar Numan ibn Beshirin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ligjëruar në minber, ka treguar: “Babai im më dhuroi diç, por Amra, e bija e Ravahës tha:"Nuk pranoj kështu pa dëshmuar edhe Pejgamberi ﷺ." Kështu, ai shkoi te Pejgamberi ﷺ dhe i tha: "Djalit tim, që e kam prej Amrës, së bijës së Ravahës, i kam dhënë diçka, por ajo ma kërkoi dëshminë tënde përkitazi me këtë, o i Dërguari i Allahut." Pejgamberi ﷺ pyeti: “U ke dhënë edhe fëmijëve të tjerë diç të tillë?” Ai tha: "Jo." Pejgamberi ﷺ tha: “Frikojuni Allahut dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj!” Pasi u kthye, e rimori dhuratën që ma kishte dhënë. (E shënon Buhariu, numër 2587)
Kjo, se nuk ka mbarëvajtje çështja e njerëzve dhe shteteve pa drejtësi. Njerëzit nuk janë të sigurt në fenë, jetën, gjenealogjinë, nderin, pasurinë e vatanin e tyre, veçse me drejtësi. Prandaj, shohim se atëherë kur jobesimtarët mekas ua ngushtuan punët muslimanëve në Mekë, i Dërguari ﷺ i urdhëroi të mërgojnë për në Habeshe (Etiopi) dhe e sqaroi këtë se në të ndodhet një mbret i drejtë, tek i cili askujt nuk i bëhet padrejtësi.
31. Islami urdhëron bamirësinë me krejt krijesat dhe bën thirrje drejt virtyteve të larta morale dhe veprave të mira.
Islami urdhëron bamirësinë me krejt krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit...” (En Nahl, 90) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit." (Alu Imran, 134) I dërguari Muhamed ﷺ ka thënë: “Allahu ka urdhëruar që ndaj çdo gjëje të sillemi me mirësi, ndaj kur të vritni, bëjeni vrasjen në mënyrën më të mirë, e, kur të therni, bëjeni therjen në mënyrën më të mirë, çdonjëri le ta mprehë mirë tehun e thikës dhe le ta qetësojë kafshën.” (E shënon Muslimi, numër 1955)
Islami bën thirrje drejt virtyteve të larta morale dhe veprave të mira. Duke e përshkruar profetin Muhamed ﷺ në librat e mëparshëm, Allahu thotë: "Të cilët e ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim , të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, do ta përkrahin dhe do ta nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El Araf, 157) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: "Oj Aishe, Allahu është i butë dhe jep nëpërmjet butësisë atë që nuk e jep nëpërmjet ashpërsisë ose nëpërmjet çdo gjëje tjetër të mundshme." (E shënon Muslimi, numër 2593) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu jua ka bërë haram mosrespektimin e nënave, varrosjen e bijave për së gjalli, privimin e të tjerëve nga pasuria dhe lypjen pa të drejtë, si dhe urren thashethemet, të pyeturit e shumtë dhe shpërdorimin e pasurisë.” (E shënon Buhariu, numër 2408) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, nuk keni për të besuar derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj për një gjë, që, nëse e bëni, do të duheni ndërmjet vete? Përhapeni selamin në mesin tuaj!” (E shënon Muslimi, numër 54)
32. Islami urdhëron në moralet e lavdëruara, siç janë: çiltërsia, kthimi i amanetit në vend, dëlirësia, turpi, trimëria, dhënia, bujaria, ndihmesa e nevojtarit, shpëtimi i të lënduarit, dhënia ushqim të uriturit, fqinjësia e mirë, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe butësia me kafshët.
Islami urdhëron në moralet e lavdëruara. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Jam dërguar të përsos moralet e bukura.” (“Sahihul edebil mufrad”, numër 207) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai më moralshmi. Ndërkaq, më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. Thanë: "E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?" Ai u përgjigj: “Mendjemëdhenjtë.” (“Es Silsiletu es Sahiha”, numër 791) Nga Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: "Pejgamberi ﷺ nuk ka qenë i pamoralshëm në të folur e as në sjellje. Ai thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka moralin më të mirë.” (E shënon Buhariu, numër 3559) Ka edhe ajete e hadithe të tjera që tregojnë se Islami inkurajon rreth virtyteve të larta morale dhe veprave të bukura në mënyrë të përgjithshme.
Prej gjërave që i urdhëron Islami është çiltërsia. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Përmbajuni çiltërsisë, se vërtet çiltërsia udhëzon drejt mirësisë e mirësia udhëzon drejt Xhenetit. Njeriu vazhdon të jetë i çiltër dhe t’i përmbahet çiltërsisë derisa të shkruhet tek Allahu shumë i çiltër.” (E shënon Muslimi, numër 2606)
Prej gjërave që i urdhëron Islami është kthimi i amanetit në vend. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin." (En Nisa, 58)
Prej gjërave që i urdhëron Islami është dëlirësia. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu ia ka bërë detyrë Vetes t’u ndihmojë tre personave...” - ndër të cilët përmendi: “Ai që dëshiron të martohet duke synuar dëlirësinë.” (E shënon Tirmidhiu, numër 1655) Prej lutjeve që i Dërguari ﷺ i thoshte ishte: “O Allah, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, dëlirësinë dhe vetëmjaftueshmërinë!” (E shënon Muslimi, numër 2721)
Prej gjërave që i urdhëron Islami është turpi. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Turpi sjell vetëm mirësi.” (E shënon Buhariu, numër 6117) Ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fe ka moral, e morali i Islamit është turpi.” (E shënon Bejhekiu në “Shuabul iman”, 6/2619)
Prej gjërave që i urdhëron Islami është trimëria. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Pejgamberi ﷺ ishte njeriu më i mirë, më trimi dhe më bujari nga të gjithë. Njëherë, kur banorët e Medinës u frikësuan (nga një zhurmë e madhe që dëgjuan), Pejgamberi ﷺ nxitoi para të gjithëve i hipur në një kalë (për të kuptuar nëse u kanosej ndonjë rrezik).” (E shënon Buhariu, numër 2820) I Dërguari ﷺ i kërkonte mbrojte Allahut ta ruante nga frika, e në atë rast thoshte: “O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga frika!” (E shënon Buhariu, numër 6374)
Prej gjërave që i urdhëron Islami është dhënia dhe bujaria. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm." (El Bekare, 261) Virtyt i të Dërguarit ﷺ ishte bujaria. Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Pejgamberi ﷺ ka qenë njeriu më bujar në vepra të mira, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur e takonte Xhibrilin. Xhibrili e takonte çdo natë Ramazani, deri në fund, dhe Pejgamberi ﷺ ia lexonte atij Kuranin. Gjatë kohës sa takohej me Xhibrilin, në vepra të mira bëhej më bujar sesa era që fryn (plot mirësi).” (E shënon Buhariu, numër 1902)
Prej gjërave që i urdhëron Islami janë: ndihmesa e nevojtarit, shpëtimi i të lënduarit, dhënia ushqim të uriturit, fqinjësia e mirë, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe butësia me kafshët. Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një person e pyeti Pejgamberin ﷺ: "Cila është vepra më e mirë në Islam?" Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të uriturit e të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh.” (E shënon Buhariu, numër 12) Ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Teksa një burrë ishte duke ecur, e mori etja fort, andaj, pasi që gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: "E paska marrë etja siç më pati marrë mua." Kështu, zbriti në pus, e mbushi këpucën me ujë, e kapi me dhëmbë dhe u ngjit sipër pusit që t’i jepte qenit për të pirë. Allahu i ishte mirënjohës për këtë vepër, prandaj ia fali mëkatet.” Sahabët e pyetën: "O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?" Pejgamberi ﷺ u tha: “Për çdo gjallesë që ka mushkëri të njomë ka shpërblim.” (E shënon Buhariu, numër 6009) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ai që kujdeset për të venë dhe për nevojtarin është sikurse ai që lufton në rrugën e Allahut, ose sikurse ai që falet natën dhe agjëron ditën.” (E shënon Buhariu, numër 5353)
Islami thekson të drejtat e farefisit dhe obligon që të mbahen ato. Allahu i Lartësuar thotë: "I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin, sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit , përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj të afërt (me anë të testamentit). Kjo është shënuar në Libër." (El Ahzab, 6) Ai tërhoqi vërejtjen nga ndërprerja e lidhjeve farefisnore dhe e bashkoi atë me ngatërresat në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i shkatërronit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin." (Muhamed, 22-23) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.” (E shënon Muslimi, numër 2556) Të afërmit që është obligim t’i mbajmë lidhjet me ta janë: prindërit, vëllezërit, motrat, xhaxhallarët, hallat, dajallarët dhe tezet.
Islami tërheq vëmendjen për të drejtat e fqinjit, edhe po qe jomusliman. Allahu i Lartësuar thotë: "Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që keni pranë, me udhëtarin (që ka mbetur ngushtë) dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë." (En Nisa, 36) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Xhibrili vazhdimisht më porosiste për fqinjin, saqë mendova se do ta bëjë trashëgimtar.” (“Sahihu Ebi Davud”, numër 5152)
33. Islami i lejoi ushqimet dhe pijet e këndshme. Urdhëroi që të pastrohet zemra, trupi dhe shtëpia. Për këtë arsye e lejoi martesën dhe pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) porositën për të dhe ata urdhëronin drejt çdo gjëje të këndshme dhe të mirë.
Islami i lejoi ushqimet dhe pijet e këndshme. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë. Ai ua ka urdhëruar besimtarëve atë që ua ka urdhëruar të dërguarve duke thënë: “O të dërguar! Hani të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” (Kuran, 23:51) Po ashtu: “O besimtarë! Hani ushqimet e lejuara që jua kemi dhënë.” (Kuran, 2:172) Pastaj (i Dërguari) përmendi një njeri që kishte udhëtuar gjatë, flokëshprishur e i pluhurosur kishte ngritur duart lart duke thënë: "O Zot! O Zot!" Ndërkohë, ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram, ishte ushqyer me haram! E si t'i pranohet lutja?!” (E shënon Muslimi, numër 1015) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët.” Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë." (El Araf, 32)
Islami urdhëroi që të pastrohet zemra, trupi dhe shtëpia. Për këtë arsye e lejoi martesën dhe pejgamberët e profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) porositën për të dhe ata urdhëronin drejt çdo gjëje të këndshme dhe të mirë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut.” (En Nahl, 72) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Petkat e tua pastroji dhe largohu nga ndyrësia (adhurimi i idhujve)!” (El Mudethir, 4-5) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk do të hyjë në Xhenet askush që në zemër ka mendjemadhësi edhe sa një grimcë.” Një i pranishëm tha: "Ndonjëherë njeriu ka dëshirë që të veshë rrobë të bukur e nallane të bukura?" I Dërguari ﷺ ia ktheu: “Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësia nënkupton refuzimin e së vërtetës dhe përbuzjen e njerëzve.” (E shënon Muslimi, numër 91)
34. Islami i ndaloi bazat e të ndaluarave, si: t’i shoqërohet dikush a diçka Allahut në adhurim, mosbesimi, adhurimi i idhujve, të folurit për Allahun pa dituri, vrasja e fëmijëve, vrasja e njeriut që e ka gjakun të mbrojtur në Islam, të bëhen çrregullime në Tokë, magjia, veprat e turpshme, qofshin ato të hapura, qofshin të fshehta, kurvëria e homoseksualizmi. E ndaloi kamatën, ngrënien e ngordhësirës dhe të asaj që është therur për idhujt dhe putat. E ndaloi mishin e derrit dhe e ndaloi konsumimin e alkoolit dhe të gjitha papastërtitë dhe ndyrësirat e tjera. E ndaloi ngrënien e pasurisë së jetimit dhe e ndaloi që të pakësohet në matje dhe peshim të produkteve (artikujve). E ndaloi ndërprerjen e lidhjeve farefisnore. Të gjithë pejgamberët dhe profetët janë të njëzëshëm për konsiderimin haram të krejt këtyre gjërave.
Islami i ndaloi bazat e të ndaluarave, si: t’i shoqërohet dikush a diçka Allahut në adhurim, mosbesimi, adhurimi i idhujve, të folurit për Allahun pa dituri dhe vrasja e fëmijëve. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: “Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos u afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapura, qofshin të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni.” Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse për ta rregulluar, derisa të mbërrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Plotësojeni besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni." (El Enam, 151-152) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapura, qofshin të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini." (El Araf, 33)
Islami e ndaloi vrasjen e njeriut që e ka gjakun e mbrojtur në Islam. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos ia merrni jetën asnjë njeriu, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta! Nëse dikush vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë pushtet trashëgimtarit të tij (të kërkojë shpagim). Por edhe ai të mos e teprojë në vrasje, sepse ai është i ndihmuar (nga ligji dhe drejtësia islame)." (El Isra, 33) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe." (El Furkan, 68)
Islami ndaloi të bëhen çrregullime në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli." (El Araf, 56) Allahu i Lartësuar tregon për profetin Shuajb (alejhi selam) se ai i ka thënë popullit të tij: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë, pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!” (El Araf, 85)
Islami e ndaloi magjinë. Allahu i Lartësuar thotë: "Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një mashtrim i magjistarëve; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet." (Taha, 69) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese!” Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?" Pejgamberi ﷺ tha: “Shirku (të bërët shirk Allahut), sihri (magjia), vrasja padrejtësisht e atij që ka ndaluar Allahu, përdorimi i kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti i luftës, shpifja për gratë e ndershme, besimtare e të pastra.” (E shënon Buhariu, numër 6857)
Islami i ndaloi veprat e turpshme, qofshin ato të hapura, qofshin të fshehta, amoralitetin e homoseksualizmin. Në fillim të këtij paragrafi janë përmendur ajetet që bëjnë fjalë për këtë. Gjithashtu Islami e ndaloi kurvërinë. Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. Nëse nuk e bëni këtë, atëherë ju është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as dëmtoheni vetë." (El Bekare, 278-279) Allahu nuk ka kërcënuar ndonjë mëkatar duke i shpallur luftë siç e ka kërcënuar përdoruesin e kamatës, për faktin se kamata shkakton shkatërrimin e fesë, vatanit, pasurisë dhe vetes.
Islami e ndaloi ngrënien e ngordhësirës dhe të asaj që është therur për idhujt dhe putat. Po ashtu e ndaloi mishin e derrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Është ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur lidhur në fyt, e mishit të kafshës që është rrahur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat - përveç atyre që i therni ju para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve apo për të kërkuar fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah.” (El Maide, 3)
Islami e ndaloi konsumimin e alkoolit dhe të gjitha ndyrësirat e papastërtitë. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?" (El Maide, 90-91) Në paragrafin 31 është përmendur lajmërimi i Allahut të Lartësuar se prej cilësive të të Dërguarit ﷺ të përmendura në Teurat është se ua ndalon atyre të këqijat. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur.” (El Araf, 157)
Islami e ndaloi ngrënien e pasurisë së jetimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Jepuni pasurinë jetimëve, mos ua ndërroni sendet e tyre të mira me tuajat të këqija. Mos e harxhoni pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është gjynah i madh." (En Nisa, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues." (En Nisa, 10)
Islami ndaloi mangësimin (pakësimin) në matje dhe peshim të produkteve (artikujve). Allahu i Lartësuar thotë: "Mjerë ata që hanë në peshë (dhe matje), që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen." (El Mutafifin, 1-4)
Islami ndaloi të ndërpriten lidhjet farefisnore. Në paragrafin 31 janë përmendur ajetet dhe hadithet që tregojnë për këtë. Të gjithë pejgamberët dhe profetët janë të njëzëshëm për konsiderimin haram të krejt këtyre gjërave.
35. Islami i ndalon veset e përçmuara, siç janë: gënjeshtra, mashtrimi, pabesia, tradhtia, hilja, zilia, dredhia - kurthi i shëmtuar, vjedhja, dhuna, padrejtësia dhe ndalon çdo ves të shëmtuar.
Islami i ndalon veset e përçmuara përgjithësisht. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!" (Lukman, 18) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai më moralshmi, kurse më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti nga unë në kuvend në Ditën e Gjykimit janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. Thanë: "E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?" Ai u përgjigj: "Mendjemëdhenjtë.” (“Es Silsiletu es Sahiha”, numër 791)
Islami e ndalon gënjeshtrën. Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar.” (Gafir, 28) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kujdes nga gënjeshtra, se gënjeshtra udhëzon drejt shthurjes dhe shthurja dërgon drejt zjarrit (të Xhehenemit). Njeriu vazhdon të gënjejë dhe t’i përmbahet gënjeshtrës derisa të shkruhet tek Allahu gënjeshtar.” (E shënon Muslimi, numër 2606) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e mban premtimin; kur i besohet, tradhton.” (E shënon Buhariu, numër 6095)
Islami e ndaloi mashtrimin. Në hadith qëndron se i Dërguari i Allahut ﷺ kaloi pranë një grumbulli me ushqim. Futi dorën në të dhe gjeti lagështi në fund, ndaj iu drejtua personit në fjalë: “Ç’është kjo, o pronar i ushqimit?” Ai iu përgjigj: "E ka zënë shiu, o i Dërguari i Allahut." I Dërguari ﷺ ia ktheu: “Përse nuk e ke vendosur sipër që ta shohin njerëzit?! Ai që mashtron nuk është imi.” (E shënon Muslimi, 102)
Islami e ndalon pabesinë, tradhtinë e hilen. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije." (El Enfal, 27) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Këta janë ata që i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin." (Er Rad, 20) I Dërguari i Allahut ﷺ, ushtrisë së tij, kur dilnin (për luftë), i thoshte: “Luftoni e mos e vidhni prenë e luftës, as mos tradhtoni, as mos masakroni, as mos vritni fëmijë!” (E shënon Muslimi, numër 1731) Gjithashtu i Dërguari ﷺ ka thënë: “Ai që i ka (këto) katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, atëherë ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë: kur i besohet, tradhton; kur flet, gënjen; kur premton, nuk e mban atë; kur polemizon, i tejkalon kufijtë.” (E shënon Buhariu, numër 34)
Islami e ndalon zilinë. Allahu i Lartësuar thotë: "A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh." (En Nisa, 54) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ta. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë." (El Bekare, 109) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Te ju kanë ardhur sëmundjet e popujve të mëparshëm: smira dhe urrejtja. Ajo është rruajtësja (shkatërruesja). Nuk them se rruan kokën, por rruan besimin. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im se nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, e nuk keni për të besuar derisa të doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj se cila gjë jua përforcon juve këtë? Përhapeni selamin në mesin tuaj!” (E shënon Tirmidhiu, numër 2510)
Islami e ndalon dredhinë - kurthin e shëmtuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Kështu, Ne kemi bërë në çdo qytet që keqbërësit më të mëdhenj të ngrenë kurthe. Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes e nuk e ndiejnë." (El Enam, 123) Allahu i Lartësuar tregon se hebrenjtë u përpoqën ta vrisnin Isain (alejhi selam) dhe të ngrenë kurthe, por Allahu ua prishi ato. Gjithashtu Allahu sqaroi se dredhia - kurthi i shëmtuar e godet vetëm atë që e bën. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: “Cilët janë ndihmuesit e mi në rrugën e Allahut?” Nxënësit (e tij) u përgjigjën: “Ne jemi ndihmuesit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj pra, bashkë me dëshmitarët!” Dhe ata i përgatitën një kurth , por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), se Allahu është strategu më i mirë. (Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: “O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur." (Alu Imran, 52-55) Allahu i Lartësuar tregoi se populli i profetit Salih (alejhi selam) deshi ta vriste dinakërisht dhe kështu ngrenë kurthe, kësisoj Allahu u përgatiti kurthe, i shkatërroi ata të gjithë dhe popullin e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata i thanë (njëri-tjetrit): “Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën.” Dhe kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata. Tani shiko se si ka qenë fundi i ngatërresave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre." (En Neml, 49-51)
Islami e ndalon vjedhjen. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Nuk ndodh që zinaqari (imorali) të jetë besimtar (me besim të plotë) teksa bën zina; as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh dhe as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool. Ndërkohë, pendimi pas këtyre mbetet i hapur.” (E shënon Buhariu, numër 6810)
Islami e ndalon dhunën. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin." (En Nahl, 90) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Allahu më ka shpallur që të jeni të thjeshtë, kësisoj të mos jeni të dhunshëm dhe të mos mburret askush ndaj tjetrit!” (“Sahihu Ebi Davud”, numër 4895)
Islami e ndalon padrejtësinë. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk i do të padrejtët.” (Alu Imran, 57) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, të padrejtët nuk do të shpëtojnë.” (El Enam, 21) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “...ndërsa për të padrejtët ka përgatitur një dënim të dhembshëm.” (El Insan, 31) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Tre personave nuk u kthehen lutjet: udhëheqësit të drejtë, agjëruesit derisa të bëjë iftar dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi bartet nga retë dhe i hapen asaj dyert e qiejve dhe Zoti i Lartmadhërishëm thotë: "Betohem në madhërinë Time se gjithsesi do të të ndihmoj, qoftë dhe pas një kohe.” (E shënojnë Muslimi, numër 2749 përmbledhtazi me një ndryshim të vogël; Tirmidhiu, numër 2526 me ndryshim të vogël; Ahmedi, numër 8043 dhe teksti është i tij) Kur i Dërguari i Allahut ﷺ e dërgoi Muadhin në Jemen, mes tjerash i tha: “Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!” (E shënon Buhariu, numër 1496) I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vini re! Kushdo që i ka bërë padrejtësi ndonjë shtetasi jomusliman (muahed), ose ia ka pakësuar hakun e tij, ose i ka kërkuar më shumë se që ka mundësi, ose i ka marrë diçka pa qenë ai i kënaqur, unë do të jem kundërshtari i tij Ditën e Gjykimit.” (Sunen Ebi Davud, numër 3052) Pra, siç e vërejte, Islami ndalon çdo ves të shëmtuar ose marrëveshje të padrejtë e tirane.