Artikuj

22. Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) janë të mbrojtur sa i përket asaj që e përcjellin nga Zoti i tyre. Janë të mbrojtur nga çdo gjë që e kundërshton logjikën (e shëndoshë), ose e refuzon moralin e përkryer. Të dërguarit janë të ngarkuar të përcjellin urdhrat e Allahut te robërit e Tij. Të dërguarit nuk kanë kurrfarë veçorie që ka të bëjë me zotërimin (rububijen) ose adhurimin (uluhijen), madje ata janë njerëz si të tjerët; Allahu ua shpall atyre mesazhet e Tij.


Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) janë të mbrojtur sa i përket asaj që e përcjellin nga Zoti i tyre, sepse Allahu i përzgjedh më të mirët prej krijesave të Tij që ta përcjellin mesazhin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu zgjedh të dërguar nga melekët dhe njerëzit; me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka." (El Haxh, 75) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre)." (Alu Imran, 33) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti tha: “O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!” (El Araf, 144) Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) e dinë se ajo që iu zbritet atyre është shpallje hyjnore dhe i shohin melekët duke e zbritur shpalljen. Allahu i Lartësuar thotë: "Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (melekë), në mënyrë që ta dijë nëse i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht." (El Xhin, 26-28) Allahu i urdhëroi të dërguarit që ta përcjellin mesazhin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë." (El Maide, 67) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "(Këta janë) të dërguar që kanë sjellë lajme të mira e kanë paralajmëruar, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (En Nisa, 165)


Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) ia kanë frikën Allahut skajshmërisht dhe Atij i druhen; asgjë nuk shtojnë e nuk lënë mangët në mesazhet e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të na kishte veshur ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte." (El Hakah, 44-47) Ibn Kethri (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: “Sikur ai, në mënyrë të rreme, të na kishte veshur ndonjë fjalë” Pra, Muhamedi ﷺ, po të ishte si pretendojnë ata: shpifës ndaj Nesh, duke shtuar a pakësuar prej mesazhit (shpalljes hyjnore), ose ka dhënë diçka nga vetja dhe na ka atribuuar Neve, - e nuk është ashtu, - do të përshpejtonim për ta dënuar. Për këtë ka thënë: “Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë.” Është thënë se kuptimi është: Do ta ndëshkonim me të djathtën, për faktin se ajo ka forcë më të madhe. Po ashtu është thënë: Do ta kapnim atë për të djathtën e tij. Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): “O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: “Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut?!” Isai do të thotë: “Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Unë nuk u kam thënë asgjë tjetër, përveç asaj që më ke urdhëruar Ti: “Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!” Kam qenë dëshmitar, për sa kohë që kam jetuar midis tyre dhe, qëkurse më more mua, vetëm Ti ishe mbikëqyrës i tyre. Ti je Dëshmitar për çdo gjë.” (El Maide, 116-117)


Prej mirësisë së Allahut ndaj profetëve dhe të dërguarve të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) është fakti se Allahu i shpërblen ata për shkak të përcjelljes së mesazhit të Tij (te të tjerët). Allahu i Lartësuar thotë: “Ai tha: “Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni afat aspak! Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë.” (Hud, 54-56) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ata u përpoqën të të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kuran), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç tij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur të të mos kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh.” (El Isra, 73-75) Këto ajete dhe ato para, dëshmojnë e tregojnë se Kurani është i zbritur nga Zoti i botëve, për faktin se, po të ishte nga profeti Muhamed ﷺ, nuk do të përfshinte fjalë të tilla që i drejtohen atij.


Allahu i Lartmadhërishëm i ruan të dërguarit e Tij prej njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë.” (El Maide, 67) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju rikujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë!” (Junus, 71) Allahu i Lartmadhërishëm duke treguar për fjalën e Musait (alejhi selam) tha: “Ata të dy  thanë: “O Zoti ynë! Ne kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të ndërkrehet më tepër.” (Allahu) tha: “Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” (Taha, 45-46) Allahu i Lartmadhërishëm sqaroi se Ai i ruan të dërguarit e Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) prej armiqve të tyre, kësisoj nuk mund t’u bëjnë dëm. Po ashtu Allahu i Lartmadhërishëm ka lajmëruar se e ruan shpalljen e Tij, respektivisht as shtohet gjë në të e as pakësohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El Hixhr, 9)


Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) janë të mbrojtur nga çdo gjë që e kundërshton logjikën (e shëndoshë), ose e refuzon moralin (e përkryer). Allahu i Lartësuar, duke e pastruar e lavdëruar të Dërguarin e Tij (Muhamed), thotë: "Vërtet ti je me virtyte madhore." (El Kalem, 4) Gjithashtu thotë për të: "Shoku juaj  nuk është i marrë." (Et Tekuir, 22) (Janë të mbrojtur) për faktin që ta çojnë mesazhin në vend në formën më të mirë. Të dërguarit janë të ngarkuar të përcjellin urdhrat e Allahut te robërit e Tij. Ata nuk kanë kurrfarë veçorie që ka të bëjë me zotërimin (rububijen) ose adhurimin (uluhijen), madje ata janë njerëz si të tjerët; Allahu ua shpall atyre mesazhet e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Të dërguarit e tyre u thanë: “Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu ia dhuron hirin e Tij kujt të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’ju sjellim prova pa urdhrin e Allahut. Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu.” (Ibrahim, 11) Allahu i Lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, t’i thotë popullit të tij: “Thuaj: “Unë jam vetëm një vdekatar (njeri) si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (El Kehf, 110)





23. Islami bën thirrje që të adhurohet Allahu Një nëpërmjet bazave të adhurimeve të mëdha, që janë: namazi, i cili përbëhet prej kijamit (qëndrimi në këmbë), rukusë (përkulja), sexhdes (përulja), përmendjes e falënderimit të Allahut dhe lutjes. Besimtari e fal namazin pesë herë në ditë. Në namaz hiqen dallimet; i pasuri, i varfri, udhëheqësi dhe i udhëhequri janë në një saf (rresht) gjatë namazit. Zekati është një sasi e vogël e pasurisë, -sipas kushteve dhe sasive që i ka përcaktuar Allahu. Ai është obligim (të nxirret nga) pasuria e të pasurve dhe t’u jepet të varfërve e të tjerëve një herë në vit. Agjërimi nënkupton të vetëpërmbajturit nga gjërat që e prishin agjërimin gjatë ditës së muajit Ramazan. Ai e edukon shpirtin për vullnet dhe durim. Haxhillëku nënkupton mësymjen e Shtëpisë së Allahut (Qabesë) në Meken e Nderuar, për t’i bërë ritualet e caktuara një herë në jetë, për atë që është i aftë dhe ka mundësi. Gjatë haxhillëkut të gjithë janë të barabartë, se i janë drejtuar Allahut të Lartësuar dhe gjatë tij largohen e zhbëhen dallimet dhe përkatësitë.


Islami bën thirrje që Allahu të adhurohet me adhurime më të mëdha dhe të tjera. Këto adhurime madhështore Allahu ia bëri obligim çdo profeti dhe të dërguari (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Adhurimet më madhështore janë:


I pari: Namazi. Allahu e bëri obligim namazin për muslimanët ashtu siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu e urdhëroi të dërguarin e Tij, mikun e ngushtë, Ibrahimin (alejhi selam), që ta pastrojë shtëpinë e Tij (Qabenë) për ata që e vizitojnë, për namazfalësit që përkulen e përulen. Allahu i Lartësuar thotë: "Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, duke thënë “Bëjeni vendin e Ibrahimit si vendfalje!” Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: “Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe duke u përulur.” (El Bekare, 125) Allahu ia bëri obligim namazin Musait (alejhi selam) kur e thirri për të parën herë. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë. Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!" (Taha, 12-14) Mesihu, Isai (alejhi selam) ka lajmëruar se Allahu e urdhëroi të falë namaz dhe të japë zekat. Allahu i Lartësuar lajmëroi se ai tha: "Më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë." (Merjem, 31) Namazi në Islam përbëhet prej qëndrimit në këmbë (kijam), përkuljes (rukuja), përuljes (sexhdja), përmendjes e falënderimit të Allahut dhe lutjes. Muslimani e fal namazin çdo ditë nga pesë herë. Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij." (El Bekare, 238) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, falja e mëngjesit është e dëshmuar (nga melekët)." (El Isra, 78) Gjithashtu i Dërguari ﷺ ka thënë: “Sa i përket përkuljes (rukusë), madhërojeni në të Allahun e Lartmadhërishëm; e në përulje (sexhde), jini të zellshëm në lutje, shpresohet të merrni përgjigje!” (E shënon Muslimi, numër 1218)


I dyti: Zekati. Allahu e bëri obligim zekatin për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Zekati është një sasi e vogël e pasurisë, - sipas kushteve dhe sasive që i ka përcaktuar Allahu. Ai është obligim (të nxirret nga) pasuria e të pasurve dhe t’u jepet të varfërve dhe të tjerëve një herë në vit. Allahu i Lartësuar thotë: "Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata dhe t’ua rrisësh veprat e mira! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ta. Allahu dëgjon dhe di gjithçka." (Et Teube, 103) Kur i Dërguari ﷺ e dërgoi Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Jemen, i tha: “Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish atje, thirri të dëshmojnë se nuk ka zot që meriton të adhurohet me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden, kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar! Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!” (E shënojnë Buhariu, numër, 4347 dhe Muslimi, numër 19)


I treti: Agjërimi. Allahu e bëri obligim agjërimin për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu si ishte obligim i atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” (El Bekare, 183) Agjërimi nënkupton të vetëpërmbajturit nga gjërat që e prishin agjërimin  gjatë ditës së muajit Ramazan. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Madhëruar thotë: "Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjëruesi e lë epshin, ushqimin dhe pijen për Mua. Agjërimi është mburojë. Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur ta takojë Zotin. Era e gojës së agjëruesit është më e mirë tek Allahu sesa era e myshkut (lloj parfumi).” (E shënon Buhariu, numër 7492)


I katërti: Haxhillëku. Allahu e bëri obligim haxhillëkun për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu e urdhëroi të dërguarin e Tij, mikun e ngushtë, Ibrahimin (alejhi selam) që t’i thërrasë (njerëzit) për haxhillëk. Allahu i Lartësuar thotë: "Thirri njerëzit për haxhillëk: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta." (El Haxh, 27) Allahu e urdhëroi Ibrahimin që ta pastrojë Shtëpinë e Lashtë (Qabenë) për haxhilerët. Allahu i Lartësuar thotë: "Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores  (duke e urdhëruar): “Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur." (El Haxh, 26)


Haxhillëku nënkupton mësymjen e Shtëpisë së Allahut (Qabesë) në Mekën e Nderuar, për t’i bërë ritualet e caktuara një herë në jetë, për atë që është i aftë dhe ka mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: “Për hir të Allahut, është detyrë për njerëzit vizita e Shtëpisë (Qabesë) për atë që ka mundësi të shkojë tek ajo. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Alu Imran, 97) Në haxhillëk mblidhen haxhilerët muslimanë në një vend, duke ia kushtuar Krijuesit të Lartësuar adhurimin sinqerisht. Të gjithë haxhilerët i kryejnë ritualet e haxhillëkut në një formë unike, ku zhbëhen dallimet ambientore, kulturore dhe standardet jetësore.





24. Gjëja më madhështore që i dallon adhurimet në Islam është fakti se Allahu i Lartmadhërishëm i ka ligjësuar format, kohët e kushtet e tyre dhe ia ka përcjellë të Dërguarit të Tij ﷺ, kësisoj njeriu nuk ka ndërhyrë në to as për të shtuar e as për të pakësuar deri sot. Te të gjitha këto adhurime madhështore kanë bërë thirrje të gjithë profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).


Gjëja më madhështore që i dallon adhurimet në Islam është fakti se Allahu i Lartmadhërishëm i ka ligjësuar format, kohët e kushtet e tyre dhe ia ka përcjellë të Dërguarit të Tij ﷺ, kësisoj njeriu nuk ka ndërhyrë në to as për të shtuar e as për të pakësuar deri sot. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El Maide, 3) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë." (Ez Zuhruf, 43) Allahu i Lartësuar thotë për namazin: "Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur ose të shtrirë. Kur të jeni jashtë rrezikut, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (En Nisa, 103) Allahu i Lartësuar thotë për kategoritë të cilave u jepet zekati: “Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (Et Teube, 60) Allahu i Lartësuar thotë për agjërimin: “Muaji Ramazan është ai në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Ai dëshiron që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë.” (El Bekare, 185) Allahu i Lartësuar thotë për haxhillëkun: “Koha e haxhillëkut është në muaj të caktuar . Kush vendos të kryejë haxhillëkun, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!” (El Bekare, 197) Te të gjitha këto adhurime madhështore kanë bërë thirrje të gjithë profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).


25. Profeti i Islamit është Muhamedi, i biri i Abdullahut, nga pasardhësit e Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). U lind në Mekë në vitin 571. U bë profet në Mekë dhe bëri hixhret në Medinë. Ai nuk ishte pjesëmarrës me popullin e vet në çështje të idhujtarisë, por bashkëpunonte me ta në punë fisnike. Ai posedonte virtyt madhor para dërgimit si profet dhe populli e quante el Emin - Besniku. Me t’i mbushur dyzet vjet Allahu e dërgoi si profet dhe e fuqizoi me mrekulli madhështore, ku ndër më madhështoret është Kurani fisnik. Kurani është mrekullia më madhështore e profetëve dhe ajo është mrekullia që ka mbetur nga mrekullitë e profetëve deri sot. Kur Allahu e përsosi fenë dhe i Dërguari ﷺ e përcolli atë jashtëzakonisht, ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare dhe u varros në Medinën Profetike ﷺ. I dërguari Muhamed ﷺ është vula e profetëve dhe të dërguarve. Allahu e dërgoi atë me udhëzim dhe fenë e vërtetë, që njerëzit t’i nxjerrë nga errësirat e idhujtarisë, mosbesimit e injorancës për në dritën e monoteizmit e besimit. Gjithashtu Allahu dëshmoi për të se e dërgoi si thirrës, që i fton njërit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij.


Profeti i Islamit është Muhamedi, i biri i Abdullahut, nga pasardhësit e Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). U lind në Mekë në vitin 571. U bë profet në Mekë dhe bëri hixhret në Medinë. Ai nuk ishte pjesëmarrës i popullit të vet në çështje të idhujtarisë, por bashkëpunonte me ta në punë fisnike. Ai posedonte virtyt madhor para dërgimit si profet dhe Zoti e përshkroi me virtyte madhore. Allahu i Lartësuar thotë për të: “Vërtet ti je me virtyte madhore.” (El Kalem, 4) Me t’i mbushur dyzet vjet Allahu e dërgoi si profet dhe e fuqizoi me mrekulli madhështore, ku ndër më madhështoret është Kurani fisnik. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të përshtatshme për të besuar njerëzit e asaj kohe. Mua më është dhënë shpallja, të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem Pejgamberi me më së shumti pasues në Ditën e Gjykimit.” (E shënojnë Buhariu, numër 4981) Kurani i madhërishëm është shpallja e Allahut e dërguar tek i Dërguari i Tij, Muhamedi ﷺ. Allahu i Lartësuar thotë për Kuranin: "Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit." (El Bekare, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (En Nisa, 82) Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhinët që të sjellin një Kuran të tillë. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhinët për të hartuar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të hartonin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri-tjetrin.” (El Isra, 88) Allahu i sfidoi të sillnin dhjetë sure të ngjashme me Kuranin (në bukuri dhe elokuencë). Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ata thonë: “Ai  e ka trilluar atë !” Thuaju (o Muhamed!): “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” (Hud, 13) Madje Allahu i sfidoi të sillnin një sure të ngjashme me Kuranin. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit Tonë (Muhamedit), atëherë hartoni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë." (El Bekare, 23)


Kurani i madhërishëm është mrekullia e vetme që ka mbetur ndër mrekullitë e profetëve deri sot. Kur Allahu e përsosi fenë dhe i Dërguari ﷺ e përcolli atë jashtëzakonisht, ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare dhe u varros në Medinën Profetike ﷺ.


I dërguari Muhamed ﷺ është vula e profetëve dhe të dërguarve. Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj , por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (El Ahzab, 40) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Unë dhe pejgamberët jemi si shembulli i dikujt që ka ndërtuar një shtëpi, të cilën e ka përsosur dhe zbukuruar, përveç një tulle në një qoshe. Kur njerëzit e shikojnë, mahniten dhe thonë: "Ah, sikur të ishte edhe një tullë këtu." Pra, unë jam ajo tulla e fundit, përkatësisht unë jam vula e pejgamberëve. Shembulli im në krahasim me atë të profetëve të mëparshëm është sikurse rasti i një njeriu që ndërton një shtëpi për bukuri e lakmi, mirëpo e lë mangët pa një tullë te një qoshe. Kur njerëzit atypari kalojnë, mbesin të mahnitur, mirëpo edhe thonë: “Sikur t’i vendosej edhe kjo tullë!” E, pra, tulla jam unë, e unë jam vula e profetëve.” (E shënon Buhariu, numër 3535) Mesihu (Isai, alejhi selam) ka thënë në Ungjill duke dhënë lajmin e gëzueshëm për profetin Muhamed ﷺ: “Gurin që e refuzuan ta vendosin muratorët, tashmë është bërë kreu i qoshes. A thua vallë hiç nuk e keni lexuar në Libra: "Jezusi u tha atyre nga ana e Allahut: "Kjo ishte dhe është e çuditshme për sytë tanë!” Në Librin e Teuratit të sotëm është përcjellë fjala e Allahut thënë Musait (alejhi selam): “U caktoj atyre një profet nga mesi i vëllezërve të tyre sikur ti dhe Fjalën Time do ta vendos në gojën e tij dhe ai do t’u flasë atyre gjithçka me të cilën e porosis.”


Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Muhamed ﷺ me udhëzimin dhe fenë e vërtetë. Po ashtu Allahu dëshmoi se ai është në të vërtetën dhe se e dërgoi si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Por Allahu dëshmon për atë që të ka shpallur ty (o Muhamed), se Ai ta ka shpallur atë me dijeninë e Tij; po ashtu edhe engjëjt dëshmojnë për këtë. Allahu është i mjaftueshëm si dëshmitar." (En Nisa, 166) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me Udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si dëshmitar!" (El Feth, 28) Allahu e dërgoi atë me udhëzim, që njerëzit t’i nxjerrë nga errësirat e idhujtarisë, mosbesimit e injorancës për në dritën e monoteizmit dhe besimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë." (El Maide, 16) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Elif, lâm, râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd." (Ibrahim, 1)





26. Ligji islam me të cilin ka ardhur profeti Muhamed ﷺ është vula e mesazheve dhe legjislacioneve hyjnore. Ai është ligj i përsosur dhe është i përshtatshëm për fenë dhe dynjanë e njerëzve. Ai më së miri ua ruan njerëzve fenë, jetën, pasurinë, mendjen dhe gjenealogjinë. Ai i ka shfuqizuar të gjithë legjislacionet e mëhershme, ashtu siç e kanë shfuqizuar legjislacionet e mëhershme njëri-tjetrin.


Ligji islam me të cilin ka ardhur profeti Muhamed ﷺ është vula e mesazheve dhe legjislacioneve hyjnore. Allahu nëpërmjet këtij mesazhi e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë ndaj njerëzve me dërgimin e profetit Muhamed ﷺ. Allahu i Lartësuar thotë: “Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (El Maide, 3)


Ai është ligj i përsosur dhe është i përshtatshëm për fenë dhe dynjanë e njerëzve. Ai ngërthen në vete çdo gjë që kishte në legjislacionet e mëparshme, kësisoj i përsosi dhe i plotësoi. Allahu i Lartësuar thotë: “Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.” (El Isra, 9) Ligji islam ua hoqi njerëzve barrët e rënda që kishin popujt e mëhershëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Të cilët e ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin  që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barrët e rënda dhe vështirësitë që kanë pasur. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El Araf, 157)


Ligji islam ka shfuqizuar çdo legjislacion të mëparshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet rreth të cilave kishit kundërshti." (El Maide, 48) Kurani fisnik që e ngërthen në vetë këtë ligj, ka ardhur si vërtetues i librave të mëparshëm hyjnorë, mbizotërues dhe shfuqizues i tyre.





27. Allahu i Lartmadhërishëm nuk pranon tjetër fe përveç fesë islame, me të cilën erdhi Muhamedi  ﷺ. Kësisoj, kush përqafon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet.


Allahu i Lartmadhërishëm pas dërgimit të Muhamedit ﷺ nuk pranon tjetër fe përveç Islamit që erdhi me të profeti Muhamed ﷺ. Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur.” (Alu Imran, 85) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin midis tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari." (Alu Imran, 19) Ky Islam është mileti (feja) e Ibrahimit (alejhi selem), mikut të ngushtë (të Allahut). Allahu i Lartësuar thotë: "Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët." (El Bekare, 130) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!" (En Nisa, 125) Allahu e urdhëroi profetin Muhamed ﷺ të thotë: “Thuaj: “Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e pastër të Ibrahimit besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve.” (El Enam, 161)





28. Kurani fisnik është Libri që Allahu ia shpalli Profetit Muhamed ﷺ. Ai është fjalë e Zotit të botëve. Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhinët që të sjellin një të ngjashëm me të ose të sjellin një sure të ngjashme si të tij; ky sfidim vazhdon të jetë edhe sot. Kurani fisnik u jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme të shumta, që i kanë vendosur në siklet mijëra njerëz. Kurani është i ruajtur deri sot nëpërmjet gjuhës arabe në të cilën ka zbritur. Atij nuk i mungon asnjë shkronjë. Ai është i botuar dhe i shpërndarë. Ai është libër madhështor, i paimitueshëm (muxhiz). Ai është i denjë për t’u lexuar, ose për t’i lexuar përkthimet e kuptimeve të tij. Gjithashtu, Suneti (tradita) e profetit Muhamed ﷺ, mësimet e jetëshkrimi i tij janë të ruajtura e të përcjella nëpërmjet zinxhirit të transmetuesve të besueshëm. Koleksionet e haditheve janë të botuara në gjuhën arabe me të cilën ka folur i Dërguari i Allahut ﷺ dhe janë të përkthyera në gjuhë të shumta. Kurani fisnik dhe Suneti i të Dërguarit ﷺ janë burimi i vetëm i dispozitave dhe ligjeve të Islamit. Islami nuk merret nga veprimet e individëve që i atribuohen atij, por merret nga shpallja hyjnore: Kurani i madhërishëm dhe Suneti profetik.


Kurani fisnik është Libri që Allahu ia shpalli profetit arab, Muhamedit ﷺ në gjuhën arabe. Ai është fjalë e Zotit të botëve. Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe." (Es Shuara, 192-195) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ty (o Muhamed) po të shpallet Kurani nga ana e një të Urti të Gjithëdijshëm!" (En Neml, 6) Ky Kuran ka zbritur prej Allahut dhe është vërtetues i librave hyjnorë që i kanë paraprirë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër veç Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Ligjit (për njerëzit) dhe, pa dyshim, është zbritur nga Zoti i botëve!" (Junus, 37) Kurani i madhërishëm e zbulon të vërtetën në shumicën e çështjeve rreth të cilave nuk pajtoheshin hebrenjtë dhe të krishterët rreth fesë së tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin." (En Neml, 76) Kurani i madhërishëm ngërthen në vete argumente dhe prova (të mjaftueshme), që shërbejnë për ngritjen e argumentit ndaj gjithë njerëzve, sa i përket njohjes së të vërtetave që ndërlidhen me Allahun e Lartmadhërishëm, fenë dhe shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kuran për çdo gjë, për t’ua vënë veshin." (Ez Zumer, 27) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ditën kur do të sjellim kundër çdo populli dëshmitarë nga gjiri i tyre, Ne do të të sjellim ty (Muhamed) dëshmitar kundër këtyre. Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët." (En Nahl, 89)


Kurani fisnik u jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme të shumta, që i kanë vendosur në siklet mijëra njerëz. Kurani fisnik e sqaroi se si Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne e ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!" (En Enbija, 30) Gjithashtu e sqaroi se si e krijoi njeriun. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet e gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift." (El Haxh, 5) Ku e ka fundin njeriu dhe çfarë shpërblimi do të marrë punëmiri e punëkeqi pas kësaj jete? Argumente rreth kësaj çështjeje janë përmendur më lart, në paragrafin numër 20. Kjo ekzistencë a erdhi rastësisht apo ka ardhur për një qëllim fisnik? Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, duke menduar se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpalljeje tjetër do të besojnë pas kësaj?!" (El Araf, 185) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El Muminun, 115)


Kurani është i ruajtur deri sot nëpërmjet gjuhës arabe në të cilën ka zbritur. Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.” (El Hixhr, 9) Atij nuk i mungon asnjë shkronjë. Është e pamundur që në Kuran të ketë kontradiktë, mangësi apo ndryshim. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk përsiatin ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (En Nisa, 82) Ai është i botuar dhe i shpërndarë. Ai është libër madhështor, i paimitueshëm (muxhiz). Ai është i denjë për t’u lexuar, për t’u dëgjuar me vëmendje, apo për t’i lexuar përkthimet e kuptimeve të tij. Po ashtu, Suneti (tradita) e profetit Muhamed ﷺ, mësimet e jetëshkrimi i tij janë të ruajtura e të përcjella nëpërmjet zinxhirit të transmetuesve të besueshëm. Koleksionet e haditheve janë të botuara në gjuhën arabe me të cilën ka folur i Dërguari i Allahut ﷺ dhe janë të përkthyera në gjuhë të shumta. Kurani fisnik dhe Suneti i të Dërguarit ﷺ janë burimi i vetëm i dispozitave dhe ligjeve të Islamit. Islami nuk merret nga veprimet e individëve që i atribuohen atij, por merret nga shpallja e ruajtur hyjnore: Kurani i madhërishëm dhe Suneti profetik. Allahu i Lartësuar, në lidhje me Kuranin, thotë: “Ata që e mohojnë Fjalën Tonë përkujtuese (Kuranin), kur u vjen, do të dënohen rëndë. Ai është vërtet një Libër i madhërishëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.” (Fusilet, 41-42) Allahu i Lartësuar në lidhje me Sunetin profetik, duke treguar se ai është shpallje prej Allahut, thotë: "Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër." (El Hashr, 7)



Postimet e fundit

Islami është feja e Z ...

Islami është feja e Zotit të botëve

ISLAMI ËSHTË FEJA E Z ...

ISLAMI ËSHTË FEJA E ZOTIT TË BOTËVE

 VIRTYTI I AGJËRIMIT ...

 VIRTYTI I AGJËRIMIT GJASHTË DITËT E SHEVALIT SHAWAL