11. Allahu i Lartmadhërishëm është i Butë dhe Mëshirëplotë me robërit e Tij, prandaj i dërgoi pejgamberët dhe i zbriti librat.
Allahu i Lartmadhërishëm është i Buti dhe Mëshirëploti me robërit e Tij, e në saje të kësaj mëshire ua dërgoi pejgamberët dhe ua zbriti librat, për t’i nxjerrë ata nga errësirat e kufrit (mosbesimit) dhe shirkut (idhujtarisë) në dritën e teuhidit (njëshmërisë së Allahut) dhe hidajetit (udhëzimit). Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që i ka zbritur robit të Vet shpallje të qarta për t’ju nxjerrë nga errësirat në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë me ju." (El Hadid, 9)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." (El Enbija, 107) Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t’i lajmërojë robërit se Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti. Allahu i Lartësuar thotë: "Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falësi i madh, Mëshirëploti." (El Hixhr, 49) Prej butësisë dhe mëshirës së Allahut është se Ai e largon të keqen dhe e zbret të mirën te robërit e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falësi i madh, Mëshirëploti.” (Junus, 107)
12. Allahu është Zoti, Mëshirëploti. Ai është i Vetmi që do t’i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit, kur do t’i ringjallë të gjithë prej varreve, ku secilin person do ta shpërblejë për veprën që ka bërë, qoftë mirë, qoftë keq. Kësisoj, atij që bën vepra të mira, duke qenë besimtar, i takon kënaqësia e përhershme, ndërsa ai që bën kufër (mosbesim) dhe bën vepra të këqija, i takon dënimi i madh në botën tjetër.
Allahu është Zoti, Mëshirëploti. Ai është i Vetmi që do t’i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit, kur do t’i ringjallë të gjithë prej varreve, ku secilin person do ta shpërblejë për veprën që e ka bërë, qoftë mirë, qoftë keq. Kështu, atij që bën vepra të mira, duke qenë besimtar, i takon kënaqësia e përhershme, ndërsa ai që bën kufër (mosbesim) dhe bën vepra të këqija, i takon dënimi i madh në Ditën e Gjykimit. Prej drejtësisë së plotë të Allahut të Lartmadhërishëm, urtësisë dhe mëshirës së Tij me krijesat është se këtë botë e bëri shtëpi të punës e shtëpinë e dytë (në botën tjetër) e bëri (shtëpi të) shpërblimit, llogarisë e sevapit, që bamirësi ta marrë shpërblimin e bamirësisë së tij dhe i keqi, zullumqari e tirani, ta marrë ndëshkimin e tiranisë dhe padrejtësisë së tij. Fakti se disa njerëz këtë çështje e konsideruan si të pamundshme, Allahu përmendi argumente të shumta, që tregojnë se ringjallja është hak dhe nuk ka dyshim në të. Allahu i Lartësuar thotë: “Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur Ne zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë.” (Fusilet, 39) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet e gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme në çift.” (El Haxh, 5) Allahu i ka përmendur në këtë ajet tri argumente logjike që tregojnë për ringjalljen, që janë:
- Allahu e ka krijuar njeriun për herë të parë prej dheut, e Ai që e ka krijuar atë prej dheut është i Fuqishëm ta kthejë prapë në jetë kur të bëhet dhé.
- Ai që e ka krijuar njeriun prej pikës së farës është i Fuqishëm ta rikthejë njeriun në jetë pas vdekjes.
- Ai që e gjallëron tokën me shi pas vdekjes së saj është i Fuqishëm t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre. Ajeti njëkohësisht është argument për paimitueshmërinë e Kuranit (ixhaz). Si i bashkoi ky ajet, edhe pse jo i gjatë, tri argumente madhështore logjike për një çështje madhështore!
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë." (El Enbija, 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: “Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?” Thuaj: “Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë.” (Jasin, 78) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Cili është më i vështirë: krijimi juaj apo i qiellit, të cilin Ai e ndërtoi, ia ngriti lart kupën dhe e përsosi? Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme. Pastaj e shtriu rrafsh Tokën, dhe, nga ajo nxori ujërat e bëri kullotat, kurse malet i bëri të patundshme.” (En Naziat, 27-32) Allahu i Lartësuar sqaroi se krijimi i njeriut nuk është më i vështirë sesa krijimi i qiellit e Tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre. Kësisoj, Ai që është i Fuqishëm t’i krijojë qiejt dhe Tokën nuk është i pafuqishëm ta rikthejë për herë të dytë njeriun.
13. Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi Ademin prej dheut dhe bëri që pasardhësit e tij të shumohen pas tij. Andaj, njerëzit, në origjinën e tyre, janë të njëjtë: nuk ka epërsi një racë ndaj tjetrës e as një popull ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri.
Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi Ademin prej dheut dhe bëri që pasardhësit e tij të shumohen pas tij. Andaj, njerëzit, në origjinën e tyre, janë të njëjtë: nuk ka epërsi një racë ndaj tjetrës e as një popull ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre e ju bëmë popuj e fise, për të njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë." (El Huxhurat, 13) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) prej pikës së farës dhe, në fund, ju ka bërë çifte. Asnjë femër nuk mbetet shtatzënë e as lind pa dijeninë e Tij. Jeta e askujt nuk zgjatet e as shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!" (Fatir, 11) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që ju ka krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës e pastaj prej droçkës së gjakut. Ai ju bën që të lindni si foshnje, pastaj të arrini moshën e pjekurisë e pastaj të bëheni pleq (ndonëse disa prej jush vdesin më herët), me qëllim që të plotësoni afatin që ju është caktuar të jetoni dhe që të arrini të kuptoni." (Gafir, 67) Allahu i Lartësuar ka sqaruar se e ka krijuar Mesihun (Isain) me urdhër kosmologjik, ashtu siç e krijoi Ademit prej dheut me urdhër kosmologjik. Allahu i Lartësuar thotë: "Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë." (Alu Imran, 59) Më sipër, në paragrafin e dytë, kam përmendur se i Dërguari Muhamed ﷺ ka sqaruar se njerëzit janë të njëjtë dhe se nuk ka epërsi askush ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri.
14. Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër.
Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër. Allahu i Lartësuar thotë: "Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë." (Er Rum, 30) El Hanifijjetu (feja e pastër monoteiste) është feja e Ibrahimit (alejhi selam), mikut të ngushtë të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj ty të shpallëm: “Paso fenë e pastër të Ibrahimit, që nuk ka qenë prej idhujtarëve.” (En Nahl, 123) Ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, porse prindërit e bëjnë hebre, të krishterë ose adhurues zjarri, sikurse kafsha që e lind të voglin e saj (në mënyrë) të përkryer. I shihni ndonjë të metë?" Pastaj Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) citoi: “... Krijimtarinë e Allahut, sipas së cilës Ai i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim në krijimtarinë e Allahut. Kjo është fe e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë.” (Rum, 30) (E shënon Buhariu, numër 4775) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Vini re! Zoti im më urdhëroi t’jua mësoj atë që ju nuk e dini, të cilën mua ma ka mësuar sot. (Allahu i Lartësuar thotë): “Çdo pasuri që i kam dhënë ndonjë robi, është hallall për të. Të gjithë robërit e Mi i kam krijuar besimpastër (monoteistë), mirëpo atyre u venë shejtanët e i largojnë nga feja e tyre. Ua ndalojnë atë që ua lejova dhe i urdhërojnë të më shoqërojnë ndokënd në adhurim, gjë për të cilën nuk kam zbritur kurrfarë prove.” (E shënon Muslimi, numër 2865)
15. Asnjë njeri nuk lind mëkatar ose trashëgimtar i mëkatit të ndokujt tjetër.
Asnjë njeri nuk lind mëkatar ose trashëgimtar i mëkatit të ndokujt tjetër. Allahu i Lartësuar na ka lajmëruar se, kur Ademi (alejhi selam) e kundërshtoi urdhrin hyjnor dhe hëngri nga pema bashkë me gruan e tij, Havanë, i ra pishman, u pendua dhe e luti Allahun për falje. Kështu, Allahu e frymëzoi të thotë fjalë të mira. E, me t’i thënë ato, Allahu ua pranoi të dyve pendimin. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se, ndryshe, do të bëheni të padrejtë.” Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. “Zbritni - u thamë Ne - do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar.” Ademi mësoi disa fjalë (si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti. Ne u thamë: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.” El Bekare, 35-38) Ndonëse Allahu ia pranoi pendimin Ademit (alejhi selam) dhe nuk u konsiderua bartës i mëkatit, rrjedhimisht pasardhësit e tij nuk e trashëgojnë mëkatin që është larguar me pendim. Pra, në parim, njeriu nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që bën diçka, punon për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë për kundërshtitë që kishit mes jush.” (El Enam, 164) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” (El Isra, 15) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit. Nëse i ngarkuari rëndë thërret dikë që t’ia mbartë, nuk do t’i merret asgjë nga barra, edhe sikur të jetë i afërt. Në të vërtetë, ti paralajmëron vetëm ata që i frikësohen Zotit të tyre në fshehtësi dhe që falin namazin. Kush e pastron veten (nga gjynahet), në të vërtetë e ka për dobinë e vet, ndërsa kthimi është tek Allahu.” (Fatir, 18)
16. Qëllimi i krijimit i të njerëzve është adhurimi i Allahut, të Vetmit.
Qëllimi i krijimit i të njerëzve është adhurimi i Allahut, të Vetmit. Allahu i Lartësuar thotë: “Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Edh Dharijat, 56)
17. Islami e ka nderuar njeriun, qoftë burrë, qoftë grua. Ia ka dhënë atij të drejtat e plota dhe e ka bërë përgjegjës për të gjitha përzgjedhjet, punët dhe veprimet e tij. Po ashtu i hedh atij përgjegjësinë për çdo vepër që e dëmton ose i dëmton të tjerët.
Islami e ka nderuar njeriun, qoftë burrë, qoftë grua. Allahu e krijoi njeriun që të jetë mëkëmbës në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Zoti yt u tha melekëve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në Tokë.” (El Bekare, 30)
Ky nderim i përfshin të gjithë bijtë e Ademit. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar." (El Isra, 70) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer." (Et Tin, 4)
Allahu e ndaloi njeriun që të jetë pasues e i përulur i ndonjë të adhuruari, të pasuari ose ndonjërit që i binden krahas Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Të dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por, ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër. Ah, sikur ta shihnin çastin kur të adhuruarit do t’i braktisin adhuruesit e tyre, kur të gjithë do të shohin dënimin e midis tyre do të këputet çdo lidhje.” (El Bekare, 165-166) Allahu i Lartësuar duke sqaruar gjendjen e pasuesve dhe të pasuarve në të kotën, në Ditën e Kiametit, thotë: "Ata që madhështoheshin, do t’u thonë atyre që i quanin për të dobët: “Vallë, ne ju penguam nga udhëzimi i Allahut, kur ju erdhi juve?! Jo, por ju jeni keqbërës!” Ndërkaq, të dobëtit do t’u thonë atyre që madhështoheshin: “Nuk është kështu! Ju keni komplotuar natë e ditë, duke na urdhëruar, që ta mohonim Allahun dhe t’i vishnim Atij (zota të tjerë) të barabartë me Të.” Dhe ata do ta fshehin pikëllimin, kur ta shohin dënimin. Ne do të vëmë vargonj në qafat e atyre që mohuan. A do të ndëshkohen ndryshe, veçse sipas asaj që kanë bërë?!" (Sebe, 32-33)
Nga drejtësia e plotë e Allahut të Lartmadhërishëm në Ditën e Kiametit është se bën që thirrësit dhe prijësit e devijimit t’i mbajnë gjynahet e veta dhe të atyre që i devijuan padrejtësisht. Allahu i Lartësuar thotë: "(Le të thonë kështu, me qëllim) që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!" (En Nahl, 25)
Islami ia ka dhënë njeriut të drejtat e plota në këtë botë dhe në tjetrën. E drejta (haku) më e madhe që Islami e ka dhënë dhe që ua ka sqaruar njerëzve është: e drejta e Allahut kundrejt njerëzve dhe e drejta e njerëzve kundrejt Allahut. Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të) rrëfen: "Teksa isha ulur mbrapa Pejgamberit (ﷺ, në kafshë), Pejgamberi ﷺ më tha: “O Muadh!” Unë i thashë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Pejgamberi ﷺ eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh!” I thashë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Pejgamberi ﷺ eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh!” I thashë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?” I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Pejgamberi ﷺ tha: “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë.” Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh!” I thashë: "Të përgjigjem me kënaqësi, o i Dërguari i Allahut!" Pejgamberi ﷺ më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e njerëzve tek Allahu, nëse ata e bëjnë këtë?" I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Pejgamberi ﷺ tha: “E drejta e njerëzve tek Allahu është të mos i dënojë ata.” (E shënon Buhariu, numër 5967)
Islami ia mbron njeriut fenë e tij të vërtetë (Islamin), pasardhësit, pasurinë dhe nderin. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “(Dijeni mirë se) Allahu jua ka bërë të shenjta gjaqet, pasurinë dhe nderin tuaj, sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend.” (E shënon Buhariu, numër 6043) Pejgamberi ﷺ njoftoi haptazi për këtë besëlidhje madhështore në haxhillëkun e lamtumirës, ku morën pjesë më shumë se njëqind mijë sahabë. Gjithashtu e përsëriti dhe e theksoi këtë kuptim në ditën e Bajramit në haxhillëkun e lamtumirës.
Islami e ka bërë përgjegjës njeriun për të gjitha përzgjedhjet, punët dhe veprimet e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): “Lexoje librin tënd! Ti mjafton sot si llogaritar kundër vetvetes!” (El Isra, 13) Pra, çdo gjë që ka vepruar, qoftë e mirë, qoftë e keqe, Allahu do ta bëjë të pandarë nga ai; nuk i kalon dikujt tjetër; nuk llogaritet për punët e tjetërkujt e as tjetërkush nuk llogaritet për punën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Atëherë ti, o njeri, që përpiqesh shumë, mundin tënd do ta gjesh te Zoti yt." (El Inshikak, 6) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij." (Fusilet, 46)
Islami e bën përgjegjës njeriun që t’i bartë përgjegjësitë e çdo vepre që e dëmton atë ose të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush bën gjynah, ai ia ka bërë shpirtit të vet. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (En Nisa, 111) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Israilit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikurse të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikurse të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve." (El Maide, 32) Ndërkaq, i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Sa herë që dikush vritet padrejtësisht, i biri i parë i Ademit do të ketë hise në atë gjak, sepse ai ishte i pari që filloi vrasjen.” (E shënojnë Buhariu, numër 3335 dhe Muslimi, numër 1677
18. Islami e bëri të barabartë mashkullin dhe femrën sa i përket veprës, përgjegjësisë, shpërblimit dhe sevapit.
Islami e bëri të barabartë mashkullin dhe femrën sa i përket veprës, përgjegjësisë, shpërblimit dhe sevapit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull, qoftë femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi." (En Nisa, 124) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë.” (En Nahl, 97) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që bëjnë vepra të këqija, do të dënohen vetëm sipas veprave të bëra; ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj, qofshin femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim." (Gafir, 40) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përmendësit e Allahut vazhdimisht dhe përmendëset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh." (El Ahzab, 35)
19. Islami e nderoi femrën dhe i konsideroi gratë të barabarta me burrat në shumë dispozita fetare dhe e obligoi burrin të shpenzojë për të, nëse ka mundësi. Babai e ka obligim të shpenzojë për bijën e tij dhe i biri e ka obligim të shpenzojë për nënën e tij, nëse është moshërritur dhe ka mundësi. Gjithashtu e ka obligim të shpenzojë burri për bashkëshorten e tij.
Islami i konsideroi gratë të barabarta me burrat në shumë dispozita fetare. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë “Vërtet gratë janë të barabarta me burrat në shumë dispozita fetare.” (E shënon Tirmidhiu, numër 113)
Prej nderimit që Islami ia dha gruas është fakti se e obligoi të birin që të shpenzojë për nënën, nëse ka mundësi. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Dora e atij që jep është dora e sipërme: (fillo me ata që i mirëmban:) nënën, babanë, motrën, vëllanë, pastaj të afërmin e të afërmin.” (E shënon Ahmedi, numër 7105) Me lejen e Allahut, do të sqarojmë pozitën e dy prindërve në paragrafin e njëzetenëntë.
Prej nderimit që Islami ia ka bërë gruas është fakti se e ka obliguar burrin të shpenzojë për bashkëshorten e tij, nëse ka mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: "Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin." (Et Talak, 7) Një njeri e pyeti të Dërguarin ﷺ: "Cila është e drejta e gruas kundrejt burrit të saj?" Në atë rast i tha: “Që ta ushqesh kur ti ha, që ta veshmbathësh kur të veshmbathesh, që të mos e qëllosh në fytyrë dhe që të mos i thuash fjalë të këqija.” (E shënon imam Ahmedi, numër 20013) I Dërguari i Allahut ﷺ, duke sqaruar disa të drejta të grave ndaj burrave, ka thënë: “Ju e keni për detyrë t’ua siguroni atyre ushqimin dhe veshmbathjen, sipas zakonit.” (E shënon Muslimi, numër 1218) Gjithashtu i Dërguari ﷺ ka thënë: “Njeriut i mjafton si mëkat nëse e humb ushqimin e atyre që i ka për detyrë t’i ruajë!” (E shënon imam Ahmedi, numër 6828) Hatabi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Këtu janë për qëllim ata që i ka për detyrë t’i ushqejë. Sikur ka dashur t’i thotë atij që shpenzon për familjen: Mos shpenzo diçka që nuk është tepricë e ushqimit të familjes sate, duke kërkuar shpërblim për të, kësisoj kjo të të kthehet si mëkat, nëse i ke humbur ata.”
Prej nderimit që Islami ia ka bërë gruas është fakti se ia ka bërë obligim babait të shpenzojë për bijën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë si duhet ushqim dhe veshmbathje." (El Bekare, 233) Allahu sqaroi se është detyrë e babait, të cilit i lind një fëmijë, që ta ushqejë dhe ta veshmbathë atë sipas mundësisë. Allahu thotë: “Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajani atyre shpërblimin.” (Et Talak, 6) Pra, pagesën e shpërblimit të dhënies gji fëmijës Allahu ia obligoi babait, gjë që tregon se babai e ka për obligim të shpenzojë për fëmijën. Fjala “fëmijë” e përfshin mashkullin dhe femrën. Hadithi vijues është argument se babai e ka për obligim të shpenzojë për bashkëshorten dhe fëmijët e kësaj të fundit. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Njëherë, Hindi i tha Pejgamberit ﷺ: "Ebu Sufjani është dorështrënguar, ndërsa unë kam nevojë që nganjëherë të marr prej pasurisë së tij?" Ai iu përgjigj: “Merr për vete dhe fëmijën tënd aq sa ju mjafton, pa e tepruar.” (E shënon Buhariu, numër 7180) Gjithashtu i Dërguari fisnik ﷺ e sqaroi vlerën e shpenzimit për bijat dhe motrat, kur thotë: “Ai që kujdeset për dy apo tri vajza; dy apo tri motra, derisa të martohen, apo të vdesë, unë dhe ai do të jemi (në Ditën e Gjykimit) si këta dy (pra së bashku). Dhe bëri me shenjë me dy gishtërinjtë e tij: treguesin dhe të mesmin.” (“Es Silsileh es Sahiha”, numër 296)
20. Vdekja nuk është shuarje e përhershme, madje ajo është zhvendosje prej shtëpisë së punës (kësaj bote) në shtëpinë e shpërblimit (në botën tjetër). Vdekja e përfshin trupin dhe shpirtin. Vdekja e shpirtit nënkupton kur ai të ndahet nga trupi, më pas shpirti rikthehet tek ai pas ringjalljes në Ditën e Gjykimit. Shpirti pas vdekjes nuk zhvendoset te ndonjë trup tjetër e as mishërohet në një trup tjetër.
Vdekja nuk është shuarje e përhershme. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “Shpirtin do t’jua marrë Meleku i Vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj.” (Es Sexhde, 11) Vdekja e përfshin trupin dhe shpirtin. Vdekja e shpirtit nënkupton kur ai të ndahet nga trupi, më pas shpirti rikthehet tek ai pas ringjalljes në Ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë." (Ez Zumer, 42) Gjithashtu i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kur të merret shpirti, shikimi e përcjell atë.” (E shënon Muslimi, numër 2130) Pas vdekjes njeriu zhvendoset prej shtëpisë së punës (kësaj bote) në shtëpinë e shpërblimit (në botën tjetër). Allahu i Lartësuar thotë: "Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t’i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa u përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të dhembshëm, për shkak se kanë mohuar." (Junus, 4)
Shpirti pas vdekjes nuk zhvendoset te ndonjë trup tjetër e as mishërohet. Për pretendimin e mishërimit nuk argumenton as logjika, as provat shqisore e asnjë tekst nga pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) nuk ekziston që dëshmon për këtë besim.
21. Islami fton të besohen bazat e mëdha të imanit, të cilat janë: besimi në Allahun, në melekët, besimi në librat hyjnorë, si: Tevrati, Ungjilli dhe Zeburi, – para se të shtrembërohen, – dhe Kurani. Ai fton të besohen të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) e të besohet i fundit prej tyre, Muhamedi ﷺ, vula e profetëve dhe të dërguarve. Fton të besohet dita e fundit, si dhe ta dimë se jeta në këtë botë, po të nënkuptonte përfundimin, atëherë jeta dhe ekzistenca do të ishin mahi e qartë. Po ashtu fton të besohet kadaja (paracaktimi) dhe kaderi (caktimi).
Islami fton të besohen bazat e mëdha të imanit (besimit), te të cilat ftuan të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), që janë:
E para: besimi në Allahun si Zot, Krijues, Furnizues, Sistemues të këtij universi dhe se vetëm Ai është meritori t’i bëhet adhurim si dhe adhurimi që i bëhet dikujt përveç Tij është i kotë. Çdo i adhuruar përveç Allahut është i kotë dhe adhurimi nuk i përket askujt përveç Allahut dhe për askënd nuk është i saktë. Sqarimi i këtyre argumenteve është përmendur në paragrafin e tetë.
Allahu i Lartmadhërishëm i ka përmendur këto baza të mëdha në ajete të shumta, të shpërndara në Kuranin e madhërishëm. Prej tyre është fjala e Allahut: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, Librin dhe profetët; e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun.” (El Bekare, 177) Allahu bëri thirrje që të besohen këto baza dhe sqaroi se kush i mohon ato, veçse ka humbur larg prej udhës së drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, melekët e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (En Nisa, 136) Në hadith qëndron se Omer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Një ditë, ndërsa rrinim tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë të Dërguarit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, se vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për imanin (besimin).” I Dërguari tha: “Imani është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është. Më trego për ihsanin (përsosurinë).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” (E shënon Muslimi, numër 8) Në këtë hadith tregohet se Xhibrili (alejhi selam) vajti tek i dërguari Muhamed ﷺ dhe e pyeti për shkallët e fesë: Islamin, imanin dhe ihsanin. Në atë rast i dërguari Muhamed ﷺ iu përgjigj. Më pas i dërguari Muhamed ﷺ i lajmëroi sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ky është Xhibrili (alejhi selam), që ka ardhur t’ua mësojë atyre fenë. Ja, ky është Islami, mesazhi hyjnor, të cilin Xhibrili (alejhi selam) e ka sjellë dhe i dërguari Muhamed ﷺ ua ka përcjellë njerëzve dhe sahabët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), e ruajtën dhe e përcollën te njerëzit pas tij.
E dyta: besimi në melekët. Ata janë krijesa të padukshme. Allahu i ka krijuar dhe i ka bërë në formë të veçantë. I ngarkoi me detyra madhështore, e prej detyrave të më madhështoreve ishte përcjellja e mesazheve hyjnore te profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Meleku më i madhështor është Xhibrili (alejhi selam). Ajo që tregon se Xhibrili (alejhi selam) ua zbriti shpalljen hynore të dërguarve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) është fjala e Allahut të Lartësuar: “Me vullnetin e Tij, Ai ia dërgon melekun (Xhibrilin) me Shpallje kujt të dojë prej robërve të Tij (duke u thënë): “Paralajmëroni se s’ka zot tjetër të vërtetë përveç Meje, prandaj të më kini frikë Mua!” (En Nahl, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhibrili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve." (Esh Shuara, 192-196)
E treta: besimi në librat hyjnorë, si: Teurati, Ungjilli dhe Zeburi, – para se të shtrembërohen, – dhe Kurani. Allahu i Lartësuar thotë: “O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, melekët e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë.” (En Nisa, 136) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai i ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta). Ata që nuk besojnë shpalljet e Allahut, i pret dënim i ashpër; Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Zoti për shpagim." (Alu Imran, 3-4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që u është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe Esbatëve (pejgamberëve nga bijtë e Jakubit), në atë që u është dhënë Musait e Isait dhe pejgamberëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.” (Alu Imran, 84)
E katërta: Besimi në të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Pra, është obligim të besohen të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), si dhe të kemi bindjen se ata, që të gjithë, janë të dërguar prej Allahut për t’ua përcjellë popujve të tyre mesazhet e Allahut, fenë dhe sheriatin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thoni: “Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi.” (El Bekare, 136) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e edhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij.” Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë, o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “Ne besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Ishakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të tij) dhe në atë që i është dhënë Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe Ne vetëm Atij (Allahut) i përulemi.” (Alu Imran, 84)
Dhe të besohet i fundit prej tyre, Muhamedi ﷺ, vula e profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta). Allahu i Lartësuar thotë: “Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha): “Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?” Ata u përgjigjën: “E pranojmë.” (Allahu) u tha: “Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar.” (Alu Imran, 81)
Islami e bën obligim të besohen të gjithë profetët dhe të dërguarit në përgjithësi dhe e bën obligim të besohet i fundit prej tyre, që është i dërguari Muhamed ﷺ. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O ithtarët e Librit! Nuk do të keni asgjë në vijë, derisa t’i përmbaheni Teuratit e Ungjillit dhe asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj (Kurani).” (El Maide, 68) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Alu Imran, 64)
Ai që mohon një profet të vetëm, veçse i ka mohuar të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Kësisoj Allahu lajmëroi për dispozitën e tij (mohuesit) prej popullit të Nuhut (alejhi selam) duke thënë: “Populli i Nuhut, i përgënjeshtroi të dërguarit.” (Es Shuara, 105) Është e ditur se Nuhun (alejhi selam) nuk e ka paraprirë i dërguar (resul), megjithatë, kur populli i tij e përgënjeshtruan, ky përgënjeshtrim u konsiderua si përgënjeshtrim i të gjithë profetëve dhe të dërguarve, për faktin se thirrja dhe ideali i tyre qe i njëjtë.
E pesta: besimi në Ditën e Fundit, që është Dita e Kiametit. Në fund të jetës së kësaj bote, Allahu e urdhëron melekun Israfil (alejhi selam) t’i fryjë (Surit), fryrje kjo që do të vdesin të gjithë ata që do Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Kur do t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” (Ez Zumer, 68) Kur të shkatërrohet çdo gjë që ka në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu, atëherë Allahu do t’i palosë qiejt dhe Tokën, ashtu siç qëndron në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Atë Ditë, Ne do të palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë.” (El Enbija, 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar Ai dhe i lartësuar mbi idhujt që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!” (Ez Zumer, 67) I Dërguari ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartmadhërishëm do t’i palosë qiejt Ditën e Gjykimit. Më pas do t’i marrë ato me dorën e Tij të djathtë e do të thotë: "Unë jam Sunduesi suprem, ku janë arrogantët?! Ku janë mendjemëdhenjtë?!" Më pas do t’i palosë tokat me të majtën e Tij dhe do të thotë: "Unë jam Sunduesi suprem, ku janë arrogantët? Ku janë mendjemëdhenjtë?” (E shënon Muslimi, numër, 2788)
Më pas Allahu e urdhëron melekun dhe i fryn Surit për herë të dytë, kur ja, përnjëherë do të ngjallen dhe do të presin. Allahu i Lartësuar thotë: “Pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të ngjallen e do të presin.” (Ez Zumer, 68) Kur Allahu t’i ringjallë krijesat, i mbledh për t’i llogaritur. Allahu i Lartësuar thotë: "Atë Ditë, toka do të hapet e ata do të dalin me nxitim. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë." (Kaf, 44) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ditës kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir, 16) Në këtë Ditë Allahu do t’i llogarisë të gjithë njerëzit, do të marrë hak për çdo të dëmtuar nga ai që i ka bërë dëm dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas asaj që ka punuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari." (Gafir, 17) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh." (En Nisa, 40) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele, 7-8) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje." (El Enbija, 47)
Pas ringjalljes dhe llogaridhënies pason shpërblimi: kush ka bërë mirë dhe ka besuar, do të ketë kënaqësi të përhershme që nuk zhduket, e, kush ka bërë keq dhe ka mohuar, do të këtë ndëshkim. Allahu i Lartësuar thotë: "I tërë pushteti atë ditë i përket Allahut. Ai do t’i gjykojë të gjithë: ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, do të gjenden në kopshtet e begative, ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë përgënjeshtruar shpalljet Tona, do të kenë dënim poshtërues." (El Haxh, 56-57) Dhe ta dimë se jeta në këtë botë, po të nënkuptonte përfundimin, atëherë jeta dhe ekzistenca do të ishin mahi e qartë. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos vallë keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El Muminun, 115)
E gjashta: besimi në kada dhe kader, që nënkupton se duhet të besohet se Allahu di çdo gjë që ka ndodhur, që do të ndodhë në të ardhmen e afërt e të largët në këtë univers dhe se Allahu e shkroi tërë këtë para se t’i krijonte qiejt dhe Tokën. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i njeh ato. Ai di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)." (El Enam, 59) Dhe se gjithçka Allahu e përfshin në diturinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij." (Et Talak, 12) Dhe se nuk ndodh ndonjë urdhër (gjë) në këtë univers, veçse me vullnetin, dëshirën dhe krijimin e Allahut dhe se Allahu i lehtëson shkaqet që ai të ndodhë. Allahu i Lartësuar thotë: "Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!" (El Furkan, 2) E për këtë gjë, Allahu ka një urtësi të përsosur, që nuk mund ta përfshijnë njerëzit (në diturinë e tyre). Allahu i Lartësuar thotë: "Një urtësi e përsosur, por paralajmërimi nuk u bën dobi." (El Kamer, 5) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Të kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti." (Er Rum, 27) Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Vetveten me cilësi e urtësi dhe e ka quajtur Vetveten i Urti. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshmon, e po ashtu edhe melekët, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Tij (që meriton të adhurohet), të Plotfuqishmit, të Urtit.” (Alu Imran, 18) Allahu i Lartësuar ka lajmëruar se Isai (alejhi selam) do t’i drejtohet Allahut në Ditën e Gjykimit duke i thënë: "Nëse Ti i dënon ata - robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti." (El Maide, 118) Kur Allahu i Lartësuar e thirri Musain (alejhi selam), që ishte nga ana e malit Tur, i tha: "O Musa! Jam Unë, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti!" (En Neml, 9)
Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Kuranin e madhërishëm me epitetin e urtësisë. Allahu i Lartësuar thotë: "Elif, lám, râ. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë radhitur mrekullueshëm dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e Një të Urti të Gjithëdijshëm." (Hud, 1) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo është nga Urtësia që të ka shpallur ty, Zoti yt, dhe mos vër zot tjetër me Allahun, se do të hidhesh në Xhehenem, fajtor dhe i dëbuar." (El Isra, 39)