Artikuj




Me emrin e Allahut, të Mëshirshmit, Mëshiruesit





Ky është një libër i rëndësishëm, që ngërthen në vete një njohje të shkurtër me Islamin. Ky libër i sqaron bazat, parimet dhe bukuritë më të rëndësishme të Islamit, duke u bazuar në burimet e tij origjinale, që janë Kurani fisnik dhe Suneti profetik. Libri është udhërrëfyes për të gjithë të ngarkuarit me detyra fetare, qofshin muslimanë, qofshin jomuslimanë. Ai është në gjuhën e tyre dhe është i përshtatshëm për çdo kohë e vend, në varësi të dallimeve të rrethanave dhe situatave.


(Botim që përfshin argumentet prej Kuranit fisnik dhe Sunetit profetik)





1. Islami është mesazhi i Allahut drejtuar gjithë njerëzve. Ai është mesazh i përhershëm hyjnor, njëherazi është përmbyllës i mesazheve të Zotit:


Islami është mesazhi i Allahut drejtuar gjithë njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë.” (Sebe, 28) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju.” (El Araf, 158) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! I Dërguari ju ka sjellë të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni, se për ju është më mirë! E, në qoftë se nuk besoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.” (En Nisa, 170)


Islami është mesazh i përhershëm hyjnor, njëherazi është përmbyllës i mesazheve të Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj , por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (El Ahzab, 40)





2. Islami nuk është fe e veçantë për një racë e popull të caktuar, por është feja e Allahut për të gjithë njerëzit.


Islami nuk është fe e veçantë për një racë e popull të caktuar, por është feja e Allahut për të gjithë njerëzit. Urdhri i parë në Kuranin e madhërishëm është fjala e Allahut të Lartësuar: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)!” (El Bekare, 21) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej tij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.” (En Nisa, 1) Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari   ﷺ   u mbajti një fjalim njerëzve në Ditën e Çlirimit të Mekës, e në atë rast tha: “O njerëz, Allahu jua ka larguar mburrjen me xhahilietin (periudhën paraislame) dhe lavdërimin me baballarët e saj. Njerëzit ndahen në dy lloje: i mirë, i devotshëm e bujar dhe i shthurur, fatzi e i përbuzur para Allahut. Të gjithë njerëzit janë bij të Ademit, e Allahu e ka krijuar Ademin prej dheut. Allahu thotë: “O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për të njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë.” (El Huxhurat, 13) (E shënon Tirmidhiu, numër 3270) Në urdhrat e Kuranit të madhërishëm e në urdhrat e të Dërguarit fisnik ﷺ nuk do të gjesh ndonjë ligj që veçon ndonjë popull a grup duke e marrë në konsideratë racën, kombësinë a llojin e tyre.








3. Islami është mesazhi hyjnor që ka ardhur për t’i përmbushur mesazhet e profetëve dhe të dërguarve të mëhershëm që ishin për popujt e tyre.


Islami është mesazhi hyjnor që ka ardhur për t’i përmbushur mesazhet e profetëve dhe të dërguarve të mëhershëm që ishin për popujt e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të frymëzuam ty (o Muhamed) me shpallje, ashtu siç frymëzuam me shpallje Nuhun dhe profetët pas tij; siç frymëzuam me shpallje edhe Ibrahimin, Ismailin, Is’hakun, Jakubin dhe bijtë e tij, Isain, Ejubin, Junusin, Harunin, Sulejmanin dhe Davudin, të cilit i dhamë Zeburin.” (En Nisa, 163) Këtë fe që Allahu ia shpalli të dërguarit Muhamed ﷺ është po ajo fe që Allahu e përcaktoi për të dërguarit e mëhershëm dhe i porositi me të. Allahu i Lartësuar thotë: “Ai ju përcaktoi juve për fe atë që ia pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty (o Muhamed) dhe atë me çka e pat porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: “Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!” Por për idhujtarët është e rëndë ajo në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim.” (Esh Shura, 13) Kjo që Allahu ia shpalli të dërguarit Muhamed ﷺ është konfirmim i librave të mëparshëm hyjnorë, para se t’u ndodhë shtrembërimi, si: Teurati e Ungjilli. Allahu i Lartësuar thotë: “Ajo që ta kemi shpallur ty në Libër është e vërteta e cila konfirmon atë që është shpallur para tij. Sigurisht që Allahu i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet.” (Fatir, 31)





4. Pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) kishin fe të përbashkët dhe ligje të ndryshme.


Feja e pejgamberëve ishte e përbashkët, ndërsa ligjet i kishin të ndryshme. Allahu i Lartësuar thotë: “Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj bëni gara për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet rreth të cilave kishit kundërshti.” (El Maide, 48) Ndërkaq, i Dërguari ﷺ ka thënë: “Unë jam më parësori i njerëzve për Isain, të birin e Merjemes, në këtë botë dhe në tjetrën. Pejgamberët janë bij të një babai të përbashkët, por të nënave të ndryshme: rregullat sheriatike i kanë të ndryshme, porse fenë të përbashkët.” (E shënon Buhariu, numër 3443)





5. Islami bën thirrje në besimin se Zoti i vërtetë është Allahu, Krijuesi, Furnizuesi, Ai që jep jetë, Ai që shkakton vdekje, Zotëruesi i gjithë pushtetit, Ai që drejton çështjet dhe Ai është i Buti e i Mëshirshmi, – ashtu siç kanë bërë thirrje për këtë të gjithë pejgamberët, – Nuhu, Ibrahimi, Musai, Sulejmani, Davudi dhe Isai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).


Islami bën thirrje në besimin se Zoti i vërtetë është Allahu, Krijuesi, Furnizuesi, Ai që jep jetë, Ai që shkakton vdekje, Zotëruesi i gjithë pushtetit, Ai që i drejton çështjet dhe Ai është i Buti e i Mëshirshmi, – ashtu siç kanë bërë thirrje për këtë të gjithë pejgamberët, – Nuhu, Ibrahimi, Musai, Sulejmani, Davudi dhe Isai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i Cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?” (Fatir, 3) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parët? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu.” E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” (Junus, 31) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju jep mjete jetese nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhamed): “Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” (En Neml, 64)


Të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) u dërguan që të bëjnë thirrje të adhurohet vetëm Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!” (En Nahl, 36) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ne nuk kemi nisur asnjë të dërguar para teje, që të mos i kemi shpallur se: “S’ka zot tjetër përveç Meje që meriton adhurimin, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!” (El Enbija, 25) Allahu tregoi për Nuhun (alejhi selam) se ka thënë: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij që meriton të adhurohet! Unë kam frikë se do të bjerë mbi ju dënimi i një Dite të madhe!” (El Araf, 59) Miku i ngushtë i Allahut, Ibrahimi (alejhi selam), siç tregon Allahu për të, ka thënë: “Kujtoje Ibrahimin, kur i tha popullit të vet: “Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij! Kjo është më e mirë për ju, nëse e dini.” (El Ankebut, 16) Salihu (alejhi selam), siç tregon Allahu për të, ka thënë: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Në të vërtetë, juve ju është dhënë një shenjë e qartë nga Zoti juaj: kjo deve e Allahut për ju është një mrekulli. Lëreni të kullosë në tokën e Allahut dhe mos i bëni ndonjë të keqe, se ju pret ndëshkimi i ashpër!” (El Araf, 73) Salihu (alejhi selam), siç tregon Allahu për të, ka thënë: “O populli im! Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër që meriton adhurimin përveç Tij. Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve dhe mos bëni ngatërresa në tokë pasi të jetë vënë rregulli në të. Kjo është më mirë për ju, nëse jeni besimtarë!” (El Araf, 85)


Gjëja e parë me të cilën Allahu i foli Musait (alejhi selam) ishte: “Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!” (Taha, 13-14) Allahu tregon se Musai (alejhi selam) kërkoi mbrojtje nga Allahu, kur tha: "Unë i lutem Zotit tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë!” (Gafir, 27) Allahu tregon se Mesihu (Isai, alejhi selam) tha: "Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” (Alu Imran, 51) Po ashtu Allahu tregon për Mesihun (Isain, alejhi selam) të ketë thënë: “O bijtë e Israilit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe vendstrehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.” (El Maide, 72)


Madje edhe në Teurat e në Ungjill ka ardhur vërtetimi se adhurimi duhet t’i kushtohet Allahut, të Vetmit. Në Ligjin e Përtërirë ka ardhur fjala e Musait (Moisiut) (alejhi selam): “Dëgjo, Izrael, Zotin, të Adhuruarin tonë, që është Zot i Vetëm.” Në Ungjillin e Markut ka ardhur vërtetimi për t’ia kushtuar adhurimin Zotit, e në atë rast Mesihu (Isai - Jezusi, alejhi selam) ka thënë: “Porosia e parë është: “Dëgjo, o Izrael, Zotin, të Adhuruarin tonë, që është Zot i Vetëm.”


Allahu i Lartmadhërishëm sqaroi se të gjithë pejgamberët u dërguan me një mision madhështor, që ishte: thirrja në teuhid (veçimin e Allahut në adhurim). Allahu i Lartësuar thotë: “Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!” (En Nahl, 36) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!” (El Ahkaf, 4) Shejh Abdurrahman Es Sidi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Nga të gjitha këto kuptohet se, argumentimi i idhujtarëve për të mbrojtur idhujtarinë e tyre është i pabazuar në ndonjë fakt a argument. Bazat ku ata mbështeten janë thjesht hamendësime të gënjeshtërta, mendime të dobëta dhe mendje të prishura. Për kotësinë e pretendimeve të tyre argumenton vështrimi i gjendjes së tyre dhe studimi i dijes dhe veprave të tyre, si dhe shikimi i gjendjes së atyre që i harxhuan jetët e tyre ndaj adhurimit që bënë. Vallë, a u bëri ndonjë dobi në këtë botë ose në botën tjetër?!” (“Tejsirul Kerimi er Rahman”, f. 779)








6. Allahu i Lartësuar është Krijuesi, Ai është i Vetmi meritor për t’u adhuruar dhe askush nuk bën të adhurohet bashkërisht me Të.


Allahu është Ai i Vetmi që meriton të adhurohet dhe askush nuk bën të adhurohet bashkërisht me Të. Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun.” (El Bekare, 21-22) Ai i Cili na krijoi dhe i krijoi gjeneratat para nesh, që e bëri tokën shtresë dhe na zbriti prej së larti ujë dhe bëri që nëpërmjet tij të rriten frutat si ushqim për ne. Ai është vërtet i Vetmi meritor për t’u adhuruar. Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i Cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, si po largoheni ju?” (Fatir, 3) Ai që krijon dhe furnizon (të tjerët) është i Vetmi që meriton të adhurohet. Allahu i Lartësuar thotë: “Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!” (El Enam, 102)


Çdokush që adhurohet krahas Allahut, nuk e meriton adhurimin. Kjo, se ai nuk ka pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej, qoftë në Tokë e as është ortak me Allahun; as ndihmës e as përkrahës i Tij në asgjë. E si vallë të lutet bashkë me Allahun ose të bëhet ortak me Të?! Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej, qoftë në Tokë; për ta nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.” (Sebe, 22)


Allahu i Lartmadhërishëm është Ai që i krijoi këto krijesa dhe i solli në ekzistencë prej hiçit, rrjedhimisht ekzistimi i tyre tregon për ekzistimin e Allahut, zotërimin dhe adhurimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, pastaj ja, tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët. Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë. Ndërmjet shenjave të Tij janë krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që dinë. Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe kërkesa juaj nga dhuntitë e Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. Gjithashtu, prej shenjave të Tij janë paraqitja e vetëtimës si frikë e shpresë dhe dërgimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas shkretimit të saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që logjikojnë. Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur), Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka i përulet Atij. Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Të kjo është edhe më e lehtë." (Er Rum, 20-27)


Nemrudi e mohoi ekzistimin e Zotit të tij, e Ibrahimi (alejhi selam), ashtu siç ka lajmëruar Allahu, i tha: “Ibrahimi pastaj i tha: “Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi!” Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës.” (El Bekare, 258) Gjithashtu Ibrahimi (alejhi selam) u argumentua kundër popullit të tij, me faktin se Allahu e udhëzoi, e ushqeu, i dha për të pirë, e, kur sëmurej, Ai ishte që e shëronte dhe i Cili do ta vdesë e do ta ringjallë, siç ka lajmëruar Allahu: “I Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë." (Esh Shuara, 78-81) Allahu ka lajmëruar se Musai (alejhi selam) diskutoi me Faraonin duke i thënë: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar.” (Taha, 50)


Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe e ka mbuluar me dhuntitë e Tij, që ta adhurojë Allahun e të mos e mohojë. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej e në Tokë dhe ju ka mbuluar me dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë rrëfyesi dhe pa libër ndriçues." (Lukman, 20) Sikundërqë Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, e krijoi atë dhe e përgatiti me çdo gjë që ai ka nevojë: me të dëgjuar, të parë e zemër, që të nxërë dije që i bën dobi dhe e drejton nga Kujdestari e Krijuesi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues." (En Nahl, 78)


Allahu e ka krijuar gjithë këtë gjithësi dhe e ka krijuar njeriun. Ai e ka përgatitur njeriun me gjithçka që ka nevojë: gjymtyrë, fuqi, si dhe i ndihmoi me çdo gjë që i nevojitet për ta adhuruar Allahun dhe për të jetuar në këtë Tokë dhe ia ka bërë të mundur të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.


Allahu me krijimin që ua bëri këtyre krijesave madhështore u argumentua për të qenët e Tij Zot, që domosdoshmërisht Atij duhet t’i kushtohet adhurimi. Allahu i Lartmadhërishëm thotë: “Thuaj: “Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parët? Kush mund të nxjerrë të gjallën nga e vdekura dhe të vdekurën nga e gjalla? Kush i drejton gjërat?” Ata do të thonë “Allahu”. E ti (o Muhamed) thuaj: “Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë?” (Junus, 31) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: “A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!” (El Ahkaf, 4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj i mirë (bime). Ky është krijimi i Allahut! Më tregoni çfarë kanë krijuar të tjerët pos Tij? Asgjë, por keqbërësit janë vërtet në humbje të plotë." (Lukman, 10-11) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë, ata janë krijuar prej hiçit apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!" (Et Tur, 35-37) Shejh Abdurrahman Es Sidi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Ky është një arsyetim, para të cilit atyre nuk u mbetet veçse t’i nënshtrohen së vërtetës dhe ta pranojnë atë, ose, në të kundërtën, do t’u duhet të kundërshtojnë logjikën (e shëndoshë) dhe fenë (e drejtë).” (“Tejsirul Kerimi er Rahman”, f. 816)





7. Allahu është Krijuesi i çdo gjëje që ekziston në këtë univers, përfshirë gjërat që i shohim dhe që nuk i shohim. Çdo gjë, përveç Allahut, është krijesë e Tij dhe Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë.


Allahu është Krijuesi i çdo gjëje që ekziston në këtë univers, përfshirë gjërat që i shohim dhe që nuk i shohim. Çdo gjë, përveç Allahut, është krijesë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?” dhe përgjigju: “Allahu!” Thuaj: “A mos vallë, ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij, ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?” Thuaj: “A janë të njëjtë i verbri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u ngjan i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi, Ngadhënjimtari.” (Er Rad, 16) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini.” (En Nahl, 8)


Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron (Arsh). Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni." (El Hadid, 4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndier lodhje aspak." (Kaf, 38)


8. Allahu i Lartmadhërishëm nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin, rregullimin e çështjeve e as në adhurimin e Tij.


Allahu i Lartmadhërishëm është Zotëruesi i gjithë Pushtetit; Ai nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin e rregullimin e çështjeve. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: “A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!” (El Ahkaf, 4) Shejh Abdurrahman Es Sidi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Thuaju”; pra, atyre që, në vend të Allahut, adhurojnë idhuj, të cilët nuk bëjnë as dëm e as dobi, nuk japin jetë e nuk e marrin atë, idhuj që nuk mund të ringjallin për të marrë në llogari. Thuaju atyre, duke ua shpjeguar pafuqinë dhe pamundësinë e këtyre idhujve, si dhe faktin se ata nuk meritojnë aspak të adhurohen. – “Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?!” – A kanë krijuar idhujt tuaj ndonjë gjë në madhështinë e qiejve dhe të Tokës? Vallë, ata i kanë krijuar malet e i kanë bërë lumenjtë të rrjedhin?! Ata i kanë krijuar kafshët dhe i kanë shpërndarë në Tokë?! Apo mos kanë ndihmuar ndopak në krijimin e diçkaje tjetër?! Asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Vetë ata e pranojnë këtë gjë, e lëre më të tjerët. Ky është një argument logjik i pakundërshtueshëm, se adhurimi që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut është i kotë.


Më pas e përmendi mosekzistimin e argumentit tekstual dhe tha: - “Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit)...” Libër që fton në idhujtari. “...ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore)...” – Sillni ndonjë argument tekstual të ardhur nga profetët, që urdhëron diçka të tillë! Sigurisht, idhujtarët nuk kanë asnjë mundësi që të sjellin argumente nga ndonjë profet, për idhujtarinë që praktikojnë. Përkundrazi, jemi të vendosur dhe të bindur se të gjithë profetët kanë ftuar në veçimin e Allahut në adhurim (teuhid) dhe kanë ndaluar idhujtarinë. Madje, këto ishin porositë më të mëdha dhe më të rëndësishme që ata ua sollën popujve të tyre." (“Tefsirul Kerimi er Rahman”, f. 779)


Allahu i Lartmadhërishëm është Zotëruesi i gjithë Pushtetit dhe nuk ka ortak në pushtetin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj (o Muhamed): “O Allah, Zotëruesi i gjithë Pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (Alu Imran, 26) Gjithashtu Allahu i Lartësuar, duke sqaruar se Atij i përket pushteti absolut në Ditën e Gjykimit, thotë: “Ditën kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!” (Gafir, 16)


Allahu i Lartmadhërishëm nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin, rregullimin e çështjeve e as në adhurimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës” dhe madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë e Tij!” (El Isra, 111) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El Furkan, 2) Allahu është Sunduesi, e të tjerët përveç Tij janë të sunduar të Tij, qoftë i Lartësuar! Allahu është Krijuesi, ndërsa të tjerët përveç Tij janë të krijuar dhe Allahu është Ai që i rregullon çështjet. E pra, Ai që ka këtë pozitë është detyrë të adhurohet, ndërsa kushtimi i adhurimit dikujt tjetër përveç Tij është mendjecektësi dhe idhujtari (shirk), që e shkatërron këtë dhe botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata thonë: “Bëhuni hebrenj ose të krishterë, që të jeni në rrugë të drejtë!” Thuaju: “Në asnjë mënyrë. Ne jemi të fesë së pastër të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë idhujtar.” (El Bekare, 135) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e ka marrë për mik të ngushtë?!” (En Nisa, 125) Allahu i Lartmadhërishëm e sqaroi se ai që pason fe tjetër nga ajo e mikut të ngushtë të Allahut, Ibrahimit (alejhi selam), veçse e ka nënçmuar veten. Allahu i Lartësuar thotë: “Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët.” (El Bekare, 130)





9. Allahu i Lartësuar as lind, as është i lindur dhe askush nuk është i barabartë a i krahasueshëm me Të.


Allahu i Lartësuar as lind, as është i lindur dhe askush nuk është i barabartë a i krahasueshëm me Të. Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as lind, as është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Të!” (El Ihlas, 1-4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që është i ngjashëm me Të?!” (Merjem, 65) Allahu i Lartësuar thotë: “Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ai ju ka dhënë bashkëshorte nga vetja juaj për t’ju shumuar, si dhe bagëti në çifte. Asnjë send nuk është si Ai. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.” (Shura, 11)





10. Allahu i Lartmadhërishëm nuk mishërohet në asgjë e as trupëzohet në ndonjë prej krijesave të Tij.


Allahu i Lartmadhërishëm nuk mishërohet në diç e as trupëzohet në ndonjë prej krijesave të Tij, as shkrihet/bashkohet me diç; sepse Allahu është Krijuesi, ndërsa të tjerët përveç Tij janë krijesa, Ai është i Përhershëm, ndërsa të tjerët përveç Tij si fund e kanë shuarjen. Çdo gjë është sundim i Tij dhe Ai është Sunduesi i saj. Allahu nuk mishërohet në ndonjë krijesë të Tij dhe asgjë nga krijesat e Ti nuk mishërohet në Qenien e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar është më i Madhi dhe më Madhështori se çdo gjë. Allahu i Lartësuar, duke e mohuar pretendimin e atyre që pretenduan se Ai është mishëruar në Mesihun (Isain - Jezusin), tha: “Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: “Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!” Thuaj: “Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?” Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë.” (El Maide, 17) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Të Allahut janë lindja dhe perëndimi, pra, ngado që të ktheheni është Fytyra e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm. Ata thonë: “Allahu ka bërë një fëmijë.” I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: “Bëhu!” - dhe ajo bëhet.” (El Bekare, 115-117) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Ata thonë: “I Gjithëmëshirshmi ka një bir.” Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar, ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon (madhërisë së) të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij.” (Merjem, 88-95) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, të Përjetshmit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas njerëzve, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursiu  i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!” (El Bekare, 255) Ai që e gëzon këtë pozitë dhe këtë pozitë e kanë krijesat e Tij, vallë, si të mishërohet në ndonjërën prej tyre dhe si ta marrë ndonjërin prej tyre për bir, apo ta bëjë ndonjërin prej tyre bashkë me Të hyjni?!



Postimet e fundit

 VIRTYTI I AGJËRIMIT ...

 VIRTYTI I AGJËRIMIT GJASHTË DITËT E SHEVALIT SHAWAL

Ja pse duhet ta duam ...

Ja pse duhet ta duam Muhamedin (Lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të)

Dyzet Hadithe nga Ima ...

Dyzet Hadithe nga Imam Neveviu

Islami me pak fjalë B ...

Islami me pak fjalë Bazuar në Kuranin fisnik dhe Sunetin profetik 1