Dallimet në mes veçorive të Mekës dhe Medinës
Dijetari Ibn El Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) ka thënë:
Është vërtetuar se haremi i Mekës ka veçori të shumta:
Prej tyre: Ajo që u përmend në hadithin e Ebu Hurejres e që
është ndalimi i luftës në të. Lufta në Mekë është e ndaluar me
citate dhe konsensusin e dijetarëve përveç nëse është luftë në
mbrojtje, ngase me këtë rast lejohet qoftë edhe brenda Qabes.
Argument për këtë është fjala e Allahut: “Mos i luftoni ata pranë
xhamisë së shenjtë (Qabes) deri që ata t'ju luftojnë juve aty, e nëse ju
sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj
mosbesimtarëve.” (El Bekare: 192)
Ndërsa inicimi i luftës nuk lejohet, edhe Pejgamberit (lavdërimi
dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) iu është lejuar një çast gjatë
ditës pastaj është rivendosur ndalesa gjerë në ditën e Kiametit.
Pyetja: A është kjo veçori e përbashkët mes haremit të Mekës
dhe atij të Medinës.
Përgjigja: Jo nuk e ndan me të këtë veçori, ngase lufta nuk është
ndaluar në haremin e Medinës. Nëse paramendohet se banorët e
Medinës do ta meritonin të luftoheshin për shkak se kanë lënë një
obligim e që duhet të luftohet për të, atëherë duhet të luftohen,
përkundër banorëve të Mekës.
Prej tyre: Ndalimi i prerjes së drunjve të Mekës dhe prerja e
barit të saj, e nga kjo përjashtohet një çështje e vetme e që është
‘El Idh-hir’ (një lloj bari) por, a e ndan haremi i Medinës të njëjtën
dispozitë?
Përgjigja: Po, ndalohet marrja dhe prerja e drunjve në të përveç
nëse ka nevojë për diç të tillë sikurse bari për tagji, prerja e drunjve
për shkak të punimit të tokës dhe uijtje, e të ngjashme ngase
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka
lejuar një gjë të tillë dhe ky lejim i përngjan lejimit të ‘idh-hirit’ për
banorët e Mekës, sepse ata kishin nevojë për të për shtëpitë e tyre,
varrezat dhe e përdornin farkatarët. Banorët e Medinës ishin bujq
dhe kishin bagëti, për këtë Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i
Allahut qofshin mbi të) u lejoji atyre prerjen e barit për tagji dhe që
të përdorin drunjtë për ujitje e çështje të tjera.
Prej tyre: Ndalimi i gjuetisë në të, por a e ndan edhe haremi i
Medinës këtë veçori me të?
Përgjigja: Po, ndalohet gjuetia edhe në haremin e Medinës por,
dallimi mes haremit të Mekës dhe Medinës ndodh në tri forma:
E para: Për gjahun e haremit të Medinës nuk ka shpagim ndërsa
për gjahun e haremit të Mekës ka shpagim. Shpagimi i gjahut të
haremit të Mekës është sikurse shpagimi i vrasjes së gjahut nga ana
e haxhiut në ihram, Allahu i lartësuar thotë: “O ju që besuat, mos e
mbytni gjahun duke qenë ju në ihram. E kush e mbyt atë me qëllim,
atëherë dënimi është therrorizimi i një kafshe shtëpiake të ngjashme
me atë (të egrën) që e ka mbytur. Për këtë çështje vendosin dy njerëz
të drejtë nga mesi juaj, duke e bërë atë kurban për Qabe, ose (dënimi
është) duke ushqyer të varfër, ose sa ai (ushqimi), agjërim, këtë për ta
shijuar të keqen e punës së tij. All-llahu ka falur të kaluarën. E kush
bën përsëri, (gabimin) All-llahu edënon ashpër. All-llahu mbizotëron
(çështjet), hakmerret (me dënim).” (El Maide: )
Ndërsa për vrasjen e gjahut në haremin e Medinës nuk ka
shpagim. Nëse ndokush e vret gjahun bën mëkat, por nuk
detyrohet të shpaguaj.
Disa dijetarë kanë thënë: Përkundrazi obligohet me shpagim,
por shpagimi nuk është i ngjashëm me atë të Mekës por, shpagimi i
tij është: “Marrja e uniformës së vrasësit d.m.th merren teshat prej tij,
gjithashtu i merret mjeti me të cilin e ka kryer gjahun.” Sidoqoftë
mendimin që e përfaqëson shumica e dijetarëve: Se nuk obligohet
të shpaguaj dhe se marrja e uniformës bëhet në shenjë dënimi dhe
edukimi e jo si shpagim ngase, kjo nuk është e ngjashme me
gjahun. Po të konsiderohej shpagim patjetër do të duhej të ishte i
ngjashëm me gjahun prandaj, kjo mund të jetë në formë dënimi që
nëse udhëheqësi donë ta zbatoj atë e zbaton përndryshe është i lirë
në mos zbatimin e saj.
E dyta: Gjahun e Medinës nëse njeriu e fut në të nuk detyrohet ta
liroj atë d.m.th. nëse e fut gjahun në haremin e Medinës nuk
detyrohesh ta nxjerrësh atë por, ke të drejtë që ta mbash për ta
prerë dhe ngrënë më pas.
Ndërsa nëse e fut në haremin e Mekës një gjah atëherë e ke
obligim ta lirosh atë sipas mendimit të medh-hebit hanbelijj dhe
ekziston mendimi ndryshe se nuk je i detyruar ta lirosh atë edhe në
haremin e Mekës por, ai është në posedimin tënd, e sipas këtij
mendimi nuk ka mes dy haremeve dallim dhe ky është mendimi i
saktë. Argument për lejimin e mbajtjes së gjahut në haremin e
Medinës është hadithi që e transmeton Enes b. Maliku (Allahu
qoftë i kënaqur me të) në rrëfimin e tij për fëmijën i cili kishte një
harabel me të cilin luante. Kur ai vdiq fëmija u mërzit për këtë e
Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e
ngushëlloi me fjalët: “O Eba Umejr çka ka bërë Nugajri.(harabeli i
vogël)” E ky është argument për lejimin e mbajtjes së gjahut në
pronën e njeriut edhe pse disa dijetarë thonë se: Ky rast ka
ndodhur para ndalesës sepse veçimi i haremit të Medinës me
ndalesa ndodhi pas Hajberit megjithatë anulimi mund të vërtetohet
vetëm me argument të qartë.
E treta: Nëse gjahu vritet në Mekë, atëherë ndalohet ngrënia e tij
sikur p.sh nëse e vret atë haxhiu në ihram por, në Medine nuk
ndalohet megjithëse ka mëkat ai që e vepron këtë.
Me këtë kuptuam se dallimi mes haremit të Mekës dhe atij të
Medinës për sa i përket gjahut është në tri çështje.
Prej tyre: Shpagimi për drunjtë dhe barin që ndalohen të priten:
Bari shpaguhet me vlerë ndërsa druri i vogël me therjen e një
deleje e nëse është më i madh me therjen e një lope. Ky është
mendimi më i shquar brenda medhhebit hanbelijj, por a e ndan
këtë dispozitë edhe haremi i Medinës?
Përgjigja: Jo, për këtë nuk ka shpagim.
Mendimi më i saktë është se nuk ka shpagim për drunjtë e as
për barin e prerë qoftë në Mekë apo Medine por, ai që kryen këtë
vepër bën mëkat.
Prej tyre: Ndalesa për të hyrë në haremin e Mekës pa ihram
qoftë në përgjithësi apo për atë që dëshiron të kryejë haxhin apo
umren apo atë që kryen obligimin ndërsa për haremin e Medines
nuk ka nevojë të vesh ihramat bile nëse njeriu e bën nijet dhe vesh
ihramat do të llogaritej bidatxhi dhe duhet të ndalohet nga kjo
vepër.
Prej tyre: Ndalimi i hyrjes së pabesimtarit dhe idhujtarit në të
ashtu që nuk lejohet që idhujtarët t’i afrohen Qabesë përkundër
Medinës ku lejohet të hyj në të pabesimtari. Pejgamberin
(lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) e ka arritur
vdekja dhe mburoja e tij ka qenë peng te një jehudi i cili banonte
në Medine.
Prej tyre: Konsensusi i dijetarëve për ndalimin e gjuajtjes së
gjahut dhe prerjes së drunjve ndërsa nuk ekziston konsensusi rreth
kësaj edhe për haremin e Medinës për shkak të kundërshtimit të
Ebu Hanifes (Allahu e mëshiroftë), i cili ka thënë: “Gjahu dhe
drunjtë e tij nuk janë të ndaluara.” por, shumica e dijetarëve kanë
mendim ndryshe dhe nuk ka dyshim se mendimi i tij për këtë është
shumë i dobët dhe se mendimi i saktë për të cilin nuk ka dyshim
është se është e ndaluar gjuetia dhe prerja e drunjve të haremit të
Medinës sikurse është vërtetuar nga Pejgamberi (lavdërimi dhe
shpëtimi i Allahut qofshin mbi të).
Ka edhe veçori tjera me të cilat dallohet Qabeja e të cilat i kanë
përmendur autorët kur kanë folur për historinë e Qabesë.
- Dhe ka thënë - Allahu e mëshiroftë - :
Nëse ndokush thotë: Çka është më mirë: banimi në Mekë apo
banimi në Medinë?
Dijetarët kanë mospajtim në këtë. Disa kanë thënë: Banimi në
Mekë është më mirë, ngase Meka padyshim është më e vlefshme se
Medina dhe Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin
mbi të) kur ishte në vendin Hazura, në Mekë ka thënë: “Ti je vendi
më i dashur tek Allahu dhe po të mos më nxirrnin populli im kurrë
nuk do të dilja nga këtu.” Ndërsa atë që e transmetojnë disa njerëz
se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të) ka
thënë për Mekën: “Vendi më i dashur tek Allahu.” ndërsa për
Medinën ka thënë: “Vendi më i dashur tek unë.”, kjo nuk është e
vërtetë.
Disa dijetarë kanë thënë: Banimi në Medinë është më i
vlefshëm, ngase Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut
qofshin mbi të) ka nxitur për të banuar në të: “Medina është më e
mirë për ta nëse e dinë këtë.”
Disa dijetarë kanë thënë: Banimi duhet të jetë në një vend ku
forcohet besimi i tij dhe shtohet devotshmëria e tij është më mirë
se banimi i tij në çdo vend tjetër. E këtë mendim e ka përzgjedhur
Shejhul Islam Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) dhe ka thënë:
“Nëse do të paramendonim se njeriut në Mekë do t’i dobësohej besimi dhe
devotshmëria e tij dhe do të pakësohej dobia prej tij, atëherë le të del nga
ajo sikur që kanë vepruar Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur) të cilët kanë
shkuar në Sham, Irak dhe Egjip duke kërkuar atë që është më e mirë dhe
më e dobishme për njerëzit për këtë banuan në këto vende dhe filluan t’i
mësonin njerëzve fenë dhe lanë Mekën dhe Medinen.”
Dhe ky mendim është më i saktë por, nëse paramendojmë se te
njeriu barazohet qëndrimi në një vend dhe në Mekë dhe Medinë
do t’i themi se Meka dhe Medina janë më të mirë se sa vendet e
tjera padyshim. Ndërsa për krahasimin mes Mekës dhe Medinës
për sa i përket banimit, unë nuk kam ndonjë gjykim të prerë.1
1 Sherhu Kitabil-Haxh min Bulugil Meram.