Pyetja: Cilat janë arsyet që lejojnë prishjen e agjërimit në
Ramazan?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut ..
Prej lehtësimit të Allahut të lartësuar është se Ai nuk e ka
obliguar agjërimin vetëm se për atë që mund ta kryejë si dhe e ka
lejuar prishjen e tij për atë që nuk ka mundësi të agjëroj për ndonjë
arsye të ligjshme fetarisht.
Arsyet e ligjshme fetarisht janë:
Së pari: Sëmundja
Sëmundje është çdo shkak që nxjerr njeriun nga kufiri i
shëndetit.
Ibn Kudame thotë: Në parim dijetarët janë të pajtimit për
lejimin e prishjes së agjërimit nga i sëmuri dhe bazë për këtë është
fjala e Allahut të lartësuar: “E kush është i sëmurë prej jush ose është
në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë.”
(El Bekare: 184). Seleme b. Ekva (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka
thënë: “Kur ka zbritur ky ajet: “E ata që i rëndon ai (nuk mund të
agjërojnë), janë të obliguar për kompensim, ushqim (ditor), i një të
varfëri” ai që dëshironte të prishte agjërimin e prishte atë dhe
shpaguante për atë ditë, derisa zbriti ajeti pas tij d.m.th. fjala e
Allahut të lartësuar: “(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit
që në te (filloi të) shpallet Kur'ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe
sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E
kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i
sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme.”
dhe e ka anuluar atë.
I sëmuri i cili i frikësohet shtimit të sëmundjes së tij,
ngadalësimit të shërimit apo dëmtimit të ndonjë gjymtyre i takon ta
prishë agjërimin bile është e prefruar për të ta prishë dhe nuk është
i pëlqyer plotësimi i tij, ngase mund të ketë pasoja fatale për të
kështu që e ka obligim të ketë kujdes për shëndetin e tij. Gjithashtu
sëmundja e vështirë ia lejon prishjen e agjërimit të sëmurit, ndërsa i
shëndoshi nëse i frikësohet vështirësisë apo lodhjes nuk i lejohet ta
prishë agjërimin, nëse agjërimi nuk i shkakton vetëm se lodhje të
madhe.
Së dyti: Udhëtimi
Udhëtimi në të cilin lejohet prishja e agjërimit i ka këto kushte:
1. Të jetë udhëtimi i gjatë, ashtu që të shkurtohet në të namazi.
2. Të mos vendos udhëtari për qëndrim gjatë udhëtimit të tij.
3. Të mos jetë udhëtimi i tij për të kryer ndonjë mëkat por, për
një qëllim të pastër, sipas shumicës së dijetarëve. Dhe kjo sepse,
prishja e agjërimit është lejim dhe lehetësim, e mëkatari nuk e
meriton atë me udhëtimin e tij, i cili udhëtim është bërë për mëkat
sikurse p.sh. të udhëton për t’ua prerë rrugën (plaçkitë) njerëzve.
- Ndërprerja e lejimit për shkak të udhëtimit:
Ndërprerja e lejimit për shkak të udhëtimit, me pajtimin e
dijetarëve, ndodh për dy gjëra:
E para: Kur të kthehet udhëtari në vendbanimin e tij dhe hyn
në vendin e tij, e që është edhe vendqëndrimi i tij.
E dyta: Nëse udhëtari e bën nijet qëndrimin e tij të përhershëm,
apo e përcakton kohën e qëndrimit në një vend të vetëm dhe ky
vend është i përshtatshëm për të qëndruar, atëherë ai bëhet vendas
me këtë, e plotëson namazin si dhe agjëron e nuk e prish agjërimin
në Ramazanpër shkak se përfundon për të satusi i udhëtarit.
Arsyeja e tretë: Shtatzënia dhe gjidhënia.
Dijetarët e Fikhut janë të pajtimit se shtatëzënës dhe gjidhënëses
iu takon ta prishin agjërimin në Ramazan me kusht që të
frikësohen për veten e tyre apo për fëmijët nga sëmundja apo
shtimi i saj, dëmtimi apo ndonjë pasojë fatale. Argumenti për
lejimin e prishjes së agjërimit për to është: “E kush është i sëmurë
prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të
agjërojë) më vonë aq ditë.” (El Bekare: 184). Nuk është për qëllim
prej nocionit ‘sëmundje’ ana e jashtme apo vetë sëmundja, ngase i
sëmuri të cilin nuk e dëmton agjërimi nuk i takon ta prishë atë por,
përmendja e sëmundjes ishte një sinonim për diçka që kur
bashkohet me agjërimin e dëmton njeriun, e që realisht është:
‘esenca (thelbi) e sëmundjes’. E përderisa mund që agjërimi i tyre
të ketë pasoja, atëherë që të dyjat i përfshinë lejimi i prishjes së
agjërimit. Prej argumenteve që iu lejohet prishja e agjërimit është
edhe hadithi i Enes b. Malik El Kabijj (Allahu qoftë i kënaqur me
të) se Pejgamberi (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të)
ka thënë: “Allahu e ka liruar udhëtarin nga agjërimi dhe gjysma e
namazit si dhe e ka liruar shtatëzënen apo gjidhënësen nga agjërimi.”
E katërta: Pleqëria dhe mosha e shtyrë
Në pleqëri dhe moshë të shtyrë hynë: Plaku i moshuar, të cilit
iu ka dobësuar forca apo vetëm sa nuk ka hyrë në moshë të shtyrë
dhe për çdo ditë shkon mplakjes gjersa të vdesë. I sëmuri i cili nuk
pret të shërohet dhe nuk ka shpresë se do t’i përmirësohet shëndeti
dhe plaka. E argument për legjitimitetin e prishjes së agjërimit për
këta që u përmendën është fjala e Allahut të lartësuar: “E ata që i
rëndon ai (nuk mund të agjërojnë), janë të obliguar për kompensim,
ushqim (ditor), i një të varfëri” (El Bekare: 184)
Ibn Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: “Ajeti nuk
është anuluar por, i përshtatet plakut të moshuar, plakës së
moshuar të cilët nuk mund të agjërojnë, por që për çdo ditë
agjërimi i japin ushqim një të varfëri.
E pesta: Lodhja e tepërt si pasojë e urisë dhe etjes.
Ai që lodhet nga uria e tepërt apo etja e madhe, atëherë e
prishë agjërimin dhe han aq sa është e domosdoshme për ta larguar
nevojën e tij e më pas përmbahet nga ushqimi pjesën tjetër të ditës
dhe e kompenson atë ditë.
Ia kanë bashkëngjitur lodhjes nga uria dhe etja frikën e
dobësimit nga takimi me armikun e paramenduar apo të sigurtë,
sikurse nëse është i rrethuar. Kësisoj, luftëtari nëse është i sigurtë
apo ia merr mendja se do të ketë betejë me armikun e tij dhe i
frikësohet dobësisë në luftë për shkak të agjërimit, dhe nuk është
udhëtar, atëherë atij i takon ta prishë agjërimin para luftës.
E gjashta: Detyrimi.
Me detyrimin nënkuptojmë: Kur njeriu detyron (imponon) dikë
të veprojë apo lerë diçka prej asaj që nuk e dëshiron përmes
kërcënimit.
[Enciklopedia e Fikhut: 28/73]